Pyetja:

Unë kam filluar t’i fali pesë kohët e namazit, me letër, por kam një problem. Po i fali pesë kohët dhe rregullisht namazin e natës, por po e lë telefonin me cingërua e nuk po e ndiej ose po habitna po e ndali telefonin edhe po më duket që jam ngrit të falem, dhe kur po zgjohem prej gjumit po më bie në mend që nuk e kam falur atë dhe po bëhem nervoz. Pastaj menjëherë po marr abdes dhe po e fali sabahun. Edhe gjatë namazit po bëj gabime, ose po përsëris më shumë se tri herë, ose po ngatërrohem gjatë fundit-uljes, po më hapet goja shpesh. Nganjëherë mendoj që mos është më mirë ta lë namazin derisa ta mësoj përmendësh e pastaj të filloj prapë të falem, pa letër. Gjithashtu kam qenë e sëmurë dhe gjatë namazit jam kollit shumë dhe hundët më kanë shkuar por unë nuk u ndala dhe e vazhdova namazin deri në fund. S’e di a më pranohet ky namaz?!

***

Përgjigjja:

Keni vepruar mirë që keni filluar të faleni menjëherë edhe pse nuk i keni mësuar përmendësh suret e kërkuara. Namazi nuk pret, andaj duhet të nxitohet që mos t’ju kalojë asnjë kohë e namazit nga pesë kohët e njohura pa e falur. Pra, falu ashtu me letër derisa t’i mësosh suret e kërkuara, duke i dhënë prioritet sures El-Fatiha!

Fillo me pesë kohët e namazit derisa ta ushtroni mirë gjuhën dhe gjymtyrët e tjera me namaz, e mos e ngarko vetën përnjëherë edhe me nafile, e t’i rrezikoni më pastaj edhe farzet. Akordoni orën apo telefonin dhe mos e neglizho namazin e sabahut, e sa i përket namazit të natës mos u bë nervoz e as mos u dëshpëro. Nëse mundesh, falu, e nëse jo, ai namaz është vullnetar.

Të njëjtën kohë shpejto me mësimin e sureve të kërkuara për namaz dhe mësoji ato sa më mirë dhe më rrjedhshëm!

Duhet ta keni parasysh se shejtanit dhe armiqve tuaj i vjen keq pse ju faleni, andaj mundohet që me shkaktimin e gabimeve në namaz t’ju zmbrapsë nga kjo vepër shumë e mirë dhe e obliguar, kështu, ju mos u brengosni as për kollitjen e as për ngacmimet e tjera në namaz, por falu normalisht.

Muhamed Dërmaku