Pyetja:

Jam një motër muslimane, e mbuluar dhe praktikuese e Islamit. Jam duke studiuar jashtë shtetit dhe larg familjes, por jam e fejuar në shtetin ku studioj, megjithëse jam larg tij shumë kilometra. Shpesh përlahem me të fejuarin në telefon për shkak se gjatë luftës kanë qenë dy djem refugjatë në familjen time, dhe këtu ku unë studioj ata janë afër me punë, më ftojnë për kafe në qytet ditën ose në shtëpi në familjen e tyre, por pasi të bie muzgu, sepse ditën janë në pune ata, kurse i fejuari nuk po më lejon të dalë në kafe me ata e as të shkoj të rri në familjen e tyre pasi të bie muzgu, sepse më thotë je femër dhe nuk i ke asgjë ata. Kurse ditën më lejon por ata janë në punë. Për këtë shkak disa herë kemi shkëmbyer fjalë jo të mira mes vete dhe jam hidhëruar me të fejuarin. Mua po më duket se po më kufizon shumë i fejuari. Çka më kishit këshilluar mua dhe të fejuarit pasi që edhe ai do ta lexojë përgjigjen tuaj inshaAllah.

***

Përgjigjja:

Motër, ju uroj për përkushtimin tuaj në Islam; namazin, mbulesën etj, si dhe të uroj edhe për fejesën!

Së pari, derisa jeni fejuar dhe dëshironi t’i mbani kontaktet me të fejuarin tuaj, qoftë përmjet telefonit e lëre më në takime të drejtpërdrejta, ju porosis që sa më parë ta bëni niqahun (kontratën martesore), sepse vetëm në atë mënyrë do t’ju lejohej që të mbani kontakte dhe të komunikoni e të qëndroni bashkë, në të kundërtën, edhe pse ai është i fejuari i juaj, nuk ju lejohet që para kurorëzimit të bisedoni e të kontaktoni në çfarëdo mënyre.

Së dyti, përkushtimi i juaj fetar, kërkon që krahas kryerjes së disa obligimeve fetare, të pajiseni me njohuri shtesë për jetën e përditshme, që edhe në segmente të tjera të jetës ta shfaqni fetarinë tuaj, sepse një gjë e tillë jo vetëm që është e kërkuar me çdo kusht sipas Islamit, por edhe medoemos i shkon për shtati shamisë sate dhe namazit tënd, e që mos të bëheni fetare pjesërisht e jo fetare në pjesë të tjera të jetës, pra të mos e praktikoni Islamin në mënyrë selektive. Allahu thotë: “Mos vallë, një pjesë të Librit e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (Bekare, 85)

Së këndejmi, sikur që nuk lejohet që një femër muslimane të mbajë kontakte me të fejuarin e saj, me të cilin ende nuk është kurorëzuar, asaj aq më parë nuk do t’i lejohej që të mbante lidhje, sado miqësore, me meshkuj të tjerë, që shikuar realisht as nuk i ka të afërt me gjak e as me miqësi.

Ju jo që pas muzgut nuk do të duhej të shkonit vetëm tek ata, por as ditën nuk ju lejohet që të dilni e të pini kafe kudo qoftë.

Së treti, motër muslimane, ndoshta fillimisht ju duket se i fejuari ju kufizon shumë dhe kjo ndoshta mund t’ju çon në mendimin se edhe vet Islami ju kufizuaka nga disa veprime – ruana Zot nga mendimet e liga – por duhet ta dini se nderi i juaj është shumë më i shtrenjtë dhe më i çmueshëm për ju gjatë tërë jetës sesa disa ndeja të dëshiruara tani për tani.

Vetëm analizo qysh në fillim, se ti rrezikon t’i acarosh marrëdhëniet me atë që mendon ta kalosh jetën me të, për hir të qëndrimit dhe ndejave me meshkuj, që nesër ata e shikojnë drejtimin e vet, kurse ti do t’i bartësh pasojat e mundshme gjatë tërë jetës.

Kështu pra, i fejuari i juaj ka më shumë të drejtë!

Në fund, dije se xhelozia e bashkëshortit ndaj bashkëshortes është rezultat i dashurisë dhe fanatizmit që ushqen për të!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku