Pyetja:
Jetoj jashtë shtetit dhe gruaja ime gjatë kohës kur unë nuk jam në shtëpi rri te familja e saj. A duhet ajo të më pyes sa herë që shkon diku me familjen e saj apo e ka hallall me dal edhe pa më pyetur kur ajo del me babën apo vëllanë e saj?
***
Përgjigjja:
Çështja e kërkimit të lejes të gruas për të dalë nga shtëpia lidhet ngushtë me çështjen e kujdesit financiar. Nëse një çift bashkëshortor kanë lidhur kurorën martesore, por ende nuk e kanë bëre dasmën, pra ende nuk ka shkuar vajza tek burri i saj, por jeton tek babai i saj dhe babai kujdeset për ushqimin, veshmbathjen dhe banimin e saj, atëherë ajo nuk obligohet që ta pyes burrin e saj për të dalë nga shtëpia, por obligohet ta pyes babanë e saj, sepse ai përkujdeset akoma për të dhe mbi të mbetet përgjegjësia e vajzës së tij. Ndërsa kur vajza kalon në shtëpinë e burrit të saj, pra martohet, atëherë obligohet ta pyesë burrin e saj.
Në rastin tuaj, ju edhe pse jetoni jashtë vendit, sigurisht se kujdeseni financiarisht për bashkëshorten dhe fëmijët tuaj (nëse keni). Nëse kështu ndodhë dhe gruaja e juaj jeton për të qenë më e sigurt tek familja e saj kur ju nuk jeni brenda shtetit, atëherë ajo obligohet t’ju pyesë juve. Në të kundërtën, pra nëse babai i saj kujdeset për të financiarisht, e që nuk do të ishte në rregull kjo, atëherë atij i takon prioriteti për t’u pyetur për bashkëshorten tuaj.
E tërë kjo ndodh nëse burri dëshiron që ta dirigjojë gruan e tij dhe se nuk ka shumë qetësi në qëndrimet dhe kriteret fetare të prindërve dhe familjes së bashkëshortes së tij si në aspektin fetar, moral etj. Përndryshe nëse burri ka besim në regjimin dhe disiplinën e tij familjare, atëherë përderisa ia ke besuar që ajo të qëndrojë tek familja e saj, ndoshta më lehtë do të ishte edhe për ju, por edhe për bashkëshorten tuaj që ta autorizoni babanë apo vëllanë e saj që të kujdesen moralisht për të se ku të shkojë e ku jo. Thjesht kjo çështje mund t’i nënshtrohet marrëveshjes suaj.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku