Pyetja:

Jam e fejuar dhe me të fejuarin shpesh bisedojmë në internet, ndërkohë për arsye se më është dashur të vendosim për disa çështje unë bisedën e kam ruajtur. Ndërkohë nëna ime i ka lexuar tekstet dhe unë dua ta di se a ka te drejtë ajo të bëj këtë (edhe pse është nënë)? Ajo që i ka lexuar tekstet ka shkaktuar mosmarrëveshje tek ne, sepse unë kam edhe niqah me të fejuarin dhe ne jemi shprehur lirisht, kështu që disa gjëra nëna ime i ka keqkuptuar.

***

Përgjigjja:

Femra është nën kontrollin e përhershëm të dikujt. Kur është e pamartuar duhet ta kontrollojë, të kujdeset për të babai në aspektin material dhe edukativ dhe nëna në aspektin edukativ, ndërsa kur të martohet, prindërit lirohen prej obligimeve të përkujdesjes ndaj saj. Në këtë pikëpamje rezulton se nëna ka të drejtë të plotë, derisa vajza është e pamartuar, që ta kontrollojë telefonin tuaj, adresën tuaj elektronike, shoqërinë me të cilën rrini, ose thënë thjesht ta ketë nën kontroll të plotë vajzën e saj, për të vetmin qëllim, ruajtjen e moralit dhe fetarisë së saj.

Kur vajza martohet, as nëna e as babai nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjen e vajzës së tyre, e sidomos kur është fjala për raportet me burrin e saj. Ata duhet ta kenë parasysh se vajza e tyre e martuar, tashmë është nën mbikëqyrjen e dhëndrit, të cilin e kanë zgjedhur së bashku me vajzën e tyre. Ata mund të këmbejnë edhe mesazhe dashurie që për ta është normale dhe ndoshta edhe e preferuar, nëse janë brenda kornizave të etikës islame, kurse prindërve mund të mos ju duket e mirë një gjë e tillë, edhe pse në aspektin teorik ata e dinë këtë gjë, madje do të ndiheshin keq nëse një ditë vajza e tyre do të ankohej në burrin e vet se nuk po e do atë. Problemi te ju ka lindur nga fakti se ju, pasi keni bërë kontratën martesore (nikahun), e konsideroni veten se keni të drejtë të komunikoni me burrin tuaj dhe të shpreheni lirshëm me të, dhe kjo është në rregull fetarisht, kurse nëna e juaj përderisa jetoni me të në shtëpinë atërore, ju konsideron vetëm si e fejuar dhe i duket se keni bërë shkelje kur ju këmbeni fjalë dashurie me të fejuarin tuaj. Duhet ta keni parasysh se prindërit e kanë një lloj xhelozie kur e martojnë fëmijën e tyre, sikur u duket se fëmija i tyre po heq dorë nga ta dhe po e koncentron ndjenjën e dashurisë dikah tjetër, edhe pse mosmartesa e fëmijëve të tyre është një mërzi e madhe për ta. Ky lloj xhelozie tretet dhe humbet me kalimin e kohës, e sidomos kur fëmija i tyre i tregon në mënyrë praktike se martesa është rend i Allahut i venduar në tokë, kurse dashuria atërore nuk zëvendësohet dot me dashurinë bashkëshortore, por secila e ka vendin e vet të merituar.

Andaj nëna ka pasur të drejtë të kontrollojë gjërat tuaja sekrete, por nuk ka pasur të drejtë të shkaktojë probleme në jetën tuaj, pasi ju keni bërë niqahun qysh më herët. Mirëpo ti dhe burri i juaj duhet ta kuptoni atë që thashë më parë dhe duhet të mos i vëni veshin këtyre thashethemeve, sepse edhe për vet burrin tuaj mbajnë xhelozi familjarët e tij nëse ai do t’ua tregonte atyre dashurinë e tij ndaj teje, edhe pse ndaj femrave kjo xhelozi është e mbështjellë me frikën e imoralitetit të tyre, kurse tek meshkujt frika për imoralitet është më e vogël për shkak të pasojave më të vogla.

Mos harro se në asnjë mënyrë nuk bën ta shqetësosh nënën tënde edhe nëse e drejta është në anën tënde, e sidomos ki kujdes në çështjet e martesës. Nëna do të fiton përshtypjen se ti nuk po e trajton atë si duhet vetëm e vetëm për t’u martuar dhe kjo ndjenjë do ta shfaqë hidhërimin dhe pakënaqësinë e saj ndaj teje, gjë që nuk lejohet me Islam. Mundohu që mos ta hidhërosh nënën e as mos t’i humbësh të drejtat e tua. Allahu thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (Isra’, 2324)
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku