Pyetja:

Babai im jeton jashtë vendit qe 16 vite. Unë kam qenë 9 muajshe kur ai ka shkuar në mërgim, si shumë të tjerë për arsye ekonomike, në vitin ‘92. Kur ka shkuar në fillim, në vitet e para, është munduar që unë me motrat dhe nënën t’i bashkohemi por kot, nuk u mundësua kjo. Pas një kohe, ai është martuar me një të huaj. Nënës sime i kishin thënë veç sa për të rregulluar letrat por… nuk mbeti me kaq. Ai jeton qe 12 vite me të dhe kanë një vajzë. Gruaja nuk është myslimane.

Në Kosovë vjen për 10 ditë në vit. Në telefon kurrë nuk flasim me të. Ne jetojmë me axhën e babagjyshin këtu. Pos këtyre më tepër më intereson fakti që im atë ka martesë me një katolike dhe këtu me një muslimane. Për këtu nuk është shumë i interesuar, të holla i dërgon axhës e më pas ai merret me to. E kuptoj vështirësinë për përgjigje në këtë pyetje, por thjesht dua ta di nga ana fetare si trajtohet ky rast apo thënë më mirë si do ishte trajtuar?

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, jo se është vështirë të përgjigjemi në këtë pyetje, por dobia mund të jetë e vogël, pasi ne të përgjigjemi ty, që nuk je fajtore, apo mëkatare, e jo atij që e bën mëkatin dhe kërkon rrugëdalje nga veprat e këqija. Andaj unë e lus Allahun që babain tuaj ta udhëzojë në Rrugën e Drejtë, që t’i respektojë të gjitha obligimet e tij, si ndaj Allahut, ashtu edhe ndaj familjes! Po ashtu e lus Allahun që këtë brengë tuajën t’jua lehtësojë dhe ta tejkaloni me notë kaluese, duke duruar, ruajtur fenë, nderin, moralin, dinjitetin tuaj, ju, motrat tuaja dhe nëna e juaj dhe duke mos u bë pre e moskujdesit të drejtpërdrejtë të prindit tuaj!

Fakti se babai i juaj është i martuar me një jomuslimane, pasi ajo është e krishtere, pra katolike, edhe pse nuk është gjithaq i kënaqshëm për ju, e sidomos për nënën tuaj, nuk duhet të jetë shokues, sepse ai nuk ka shkelur liritë fetare, për të cilat do të duhet të dënohej. Martesa e muslimanit me krishteren apo çifuten është e lejuar. Po ashtu ai ka të drejtë që të ketë në kurorën e tij gjatë një kohe më shumë se një grua. Andaj këtë fakt duhet ta pranoni, sepse është ligj që e lejon Allahu. Shqetësues është fakti se ai nuk kujdeset dhe nuk interesohet për ju, qoftë në aspektin material, e po ashtu edhe në atë kulturor dhe edukativ. Pra, martesa me gruan e dytë është e lejuar për muslimanin, por me kusht që mos ta humbas drejtësinë në mes të bashkëshorteve, si në përkujdesjen materiale, ashtu edhe në ndarjen e kohës së jetës me to. Allahu thotë: “Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e, nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua ose me atë që e keni në pushtetin tuaj. Në këtë mënyrë do t’i ruheni padrejtësisë më lehtë.” (Nisa’, 3)

Pra, vërejtja e madhe për babin tuaj është se ai nuk përkujdeset për ju në mënyrë të mjaftueshme në të gjitha aspektet, e jo pse ai është i martuar.

Duke u nisur nga ky fakt, do të ishte mirë që ju ta thërrisni atë, apo dikush tjetër dhe ta udhëzonte për detyrat që i ka karshi juve, që të ndërgjegjësohet dhe ta trajtojë si bashkëshorte të plotë nënën tuaj etj.

Në anën tjetër ju këshilloj që mos ta humbni shpresën, dhe bëni dua shumë që Allahu ta udhëzojë atë në Rrugën e Drejtë dhe ju drejtohem sidomos juve vajzave, që ta ndërtoni moralin tuaj, ta ruani nderin tuaj, ta keni frikë Allahun dhe të jeni në platformën e Allahut në jetën tuaj, kurse nënën tuaj Allahu e shpërbleftë me të mira për durimin që e bën!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku