Pyetja:

Ne falim pesë kohët e namazit dhe para 2 viteve kam vënë mbulesën. Burri im nuk e ka mbajtur mjekrën por para 2 muajve ai e lëshoi mjekrën dhe kur deshi ta rruante unë i thashë se me mjekër po më pëlqen më shumë dhe ai më nuk e ka hequr. Tash mua po më brengos ajo se burri im po e mban mjekrën për mua e jo që është synet i Pejgamberit ﷺ. A e ka burri im gjynah?

***

Përgjigjja:

Allahu ju shpërbleftë edhe juve me të mira për përkujdesin fetar që keni për burrin tuaj!
Natyrisht se veprat shpërblehen sipas qëllimit të veprimit. Kështu na mësojnë tekstet islame, respektivisht hadithet e të Dërguarit të Allahut, ﷺ.
Do të duhej që ju të kontribuoni që në fillim që burri i juaj të bindet për respektim të traditës profetike të të Dërguarit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në çdo aspekt duke përfshirë këtu edhe lëshimin e mjekrës, dhe atëherë do të shpërblehej për përkushtimin dhe realizimin e urdhrave profetik, që janë pjesë e fesë islame. Mirëpo derisa ai nuk i është bindur si duhet faktit që jetën duhet t’ia përkushtosh fesë dhe se mësimet fetare duhet implementuar në jetë pavarësisht bindjes momentale, e cila shpeshherë është e ndikuar nga kulturë dhe edukatë tjetër joislame, ju megjithatë keni vepruar mirë. Ky veprim është më i mirë sesa të lihet në mëkatim, ndonëse shpërblim nuk mund të ketë, sepse ai vërehet se mjekrën e mban për hir të krijesës e jo të Krijuesit.

Në ndërkohë, derisa të punoni me të që t’i bindet mësimeve islame, ai do të ketë mundësi që ta përmirësojë nijetin dhe të vendos që mjekrën ta mbajë për hir të Allahut!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku