Pyetja:
Jam muslimane dhe po mendoj me bërë rinoplastikë.

Nuk kam probleme me frymëmarrje, por kam një gungë të dukshme në hundë që më pengon shumë në pamje dhe më ka shkaktuar pasiguri.

Dëshira ime është me e heq gungën dhe me e shkurtu pak hundën, pra me u bë më e vogël, por nuk dua me e ndryshu krejt fytyrën apo me e bë diçka ekstreme.

Po frikësohem shumë mos kjo konsiderohet haram dhe nuk dua me bërë diçka që e hidhëron Allahun.
Në të njëjtën kohë, këtë operacion e dëshiroj shumë.
A konsiderohet në rastin tim korrigjim i një të mete/deformimi apo thjesht zbukurim?
A është e lejuar me e bërë sipas Islamit? Ju lutem më tregoni sa më qartë, sepse jam shumë në dilemë. Allahu ju shpërbleftë.

 

Përgjigjja:
Rinoplastika është ndërhyrje kirurgjike, pra operacion, për t’i dhënë një formë tjetër hundës.

Fillimisht, Allahu i Lartësuar në Kuran ka përmendur se njeriun e ka përsosur në formën e tij:

“e kemi krijuar njeriun në formën më të mirë.”

Nuk ka formë të ndonjë krijese, sado e mirë apo e bukur të jetë, që të jetë më e mirë se forma e njeriut. Kjo sepse Allahu e ka nderuar njeriun, e ka veçuar edhe për nga forma, përveçse e ka veçuar për nga krijimi dhe pjesa e brendshme. Pra, e ka veçuar edhe nga forma e jashtme.

Mirëpo, ndodh ndonjëherë që Allahu i Lartësuar ta sprovojë dikë me ndonjë deformim ose me ndonjë problem në fizikun e tij, në trupin e tij.

Tash, a lejohet të ndërhyhet apo nuk lejohet?

Fillimisht, ndërhyrjet kirurgjike ose estetike në trupin e njeriut ndahen në dy lloje, ashtu siç i kanë ndarë dijetarët bashkëkohorë.

Lloji i parë: Ndërhyrjet për largimin e ndonjë defekti ose problemi fizik

Këtu përfshihen ndërhyrjet që kanë të bëjnë me largimin e ndonjë defekti ose problemi që njeriu e ka në fizikun e vet.

Për shembull, mund t’i ketë kanalet e frymëmarrjes së hundës të ngushta ose krejtësisht të mbyllura. Mund të ketë gjashtë gishta, siç e kanë përmendur dijetarët, mund ta ketë hundën e deformuar ose më të shtrembëruar, apo ndonjë defekt tjetër me të cilin mund të ketë lindur ose që mund t’i jetë shfaqur më vonë.

Këtu dijetarët kanë thënë se nuk bëhet fjalë për operacione vetëm zbukuruese. Quhen zbukuruese për arsye se ndërhyhet përmes kirurgjisë estetike, por, në të vërtetë, këtu ndërhyhet për të larguar një defekt ose një problem që personi e ka të lindur, që i është shfaqur më vonë, ose për ta kthyer ndonjë pjesë të trupit në formën normale.

Kjo lejohet tek pothuajse të gjithë dijetarët bashkëkohorë.

Lloji i dytë: Ndërhyrjet kirurgjike vetëm për arsye estetike

Pjesa tjetër ka të bëjë me ndërhyrjet kirurgjike për çështje që nuk janë defekte dhe as deformime, por thjesht personit nuk i pëlqen forma e hundës, madhësia e hundës, madhësia e veshit ose forma e ndonjë pjese të trupit dhe dëshiron të ndërhyjë.

Këtu nuk lejohet ndërhyrja.

Ndërhyrja për të ndryshuar formën e veshit, hundës, këmbës, gishtave apo të ndonjë pjese tjetër të trupit nuk lejohet nëse nuk ka defekt.

Kjo për arsye se ndërhyrja në këtë formë konsiderohet si ndryshim i krijimtarisë së Allahut. Allahu ia ka dhënë formën njeriut, e pastaj ndërhyn njeriu, e zvogëlon diçka, e heq diçka ose e shton diçka, gjë që nuk lejohet.

E para, kjo është ndryshim i krijimtarisë së Allahut, që nuk lejohet. E dyta, bëhet fjalë për ndërhyrje të panevojshme, që nuk lejohet.

Këto janë rregullat e përgjithshme.

Sa i përket pyetjes konkrete

Thotë: “E kam një gungë në hundë.”

“E kam një gungë në hundë dhe dua ta heq gungën, ta shkurtoj hundën. Pse? Sepse më pengon shumë në pamje.”

Mirë, kur thotë se po më pengon shumë në pamje, nëse e ka për qëllim se e pengon të pamurit, domethënë nuk sheh mirë ose gunga ia pengon shikimin kësaj motre, atëherë kjo konsiderohet defekt.

Kjo konsiderohet defekt, për arsye se ka pengesë në të shikuar. Atëherë mund të ndërhyjë, për shkak se e pengon.

Mirë, nëse e ka për qëllim se pamja po më pengon, domethënë të tjerët kur po më shohin mua, unë po ngushtohem, atëherë ky është problem tjetër.

Njeriu mund të kompleksohet nga forma e hundës ose e veshit. Njerëzit mund t’ia përmendin hundën dy-tri herë, duke i thënë se e ka hundën kështu apo ashtu, dhe fillon të kompleksohet. Pastaj i duket se është krejt ndryshe nga të tjerët.

Dhe pastaj i flet aty shejtani, sepse njëra prej punëve kryesore që shejtani ka në devijimin e njerëzve, konkretisht të muslimanëve, është t’i bindë ata për ta ndryshuar formën e vet, për ta ndryshuar krijimtarinë e vet.

Edhe ne e dimë se disa njerëz, të cilët kanë pasur forma e pamje të bukura, fytyra të bukura, shejtani ka arritur t’i bëjë ndër krijesat më të shëmtuara përmes ndërhyrjeve të tyre kirurgjike.

Kështu që po i themi kësaj motre:

Nëse gunga e hundës është shumë e madhe, është jashtë normales dhe të pengon të shohësh mirë, atëherë ndërhyj për ta ulur këtë gungë dhe për ta kthyer hundën në formën normale.

Mirë, nëse nuk të pengon të shohësh dhe është brenda normales, atëherë nuk lejohet të ndërhysh.

Domethënë, kur është brenda normales?

Kur ka edhe njerëz të tjerë, ka femra të tjera me atë formë të hundës dhe nuk është shumë problem.

Atëherë nuk lejohet të ndërhysh, për arsye se konsiderohet brenda normales.

Është pak më e shtrembër, është pak me gungë, por nuk je vetëm.

Ndërsa jashtë normales është kur një person, dy persona ose shumë pak persona e kanë atë formë të hundës, për shembull, ose të ndonjë organi tjetër, dhe kjo konsiderohet e metë ose defekt tek të tjerët.

Sa i përket shkurtimit të hundës

Shkurtimi i hundës, që është përmendur pastaj në pyetje, pra dëshira për ta shkurtuar pak hundën dhe për ta bërë më të vogël, nuk lejohet në asnjë formë.

Kjo për arsye se konsiderohet operacion i panevojshëm, ndërhyrje dhe lojë me formën që Allahu i Lartësuar ia ka dhënë njeriut. Gjithashtu, konsiderohet ndryshim i formës që Allahu ia ka dhënë njeriut.

Kështu që është prej gjynaheve të mëdha të ndryshosh diçka nga trupi pa nevojë, pa ndonjë defekt.

Kjo është sa i përket kësaj pyetjeje. Shpresoj që të kem qenë i qartë.

/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/