Pyetja:

Para disa javësh kemi pasur një zënkë shumë të madhe me burrin për shkak të familjes së tij. Nëna e tij gati çdo herë më provokon me fjalë dhe më rëndon shumë. Ne jetojmë në SHBA dhe unë gjithmonë mundohem të kursej paratë pasi që unë nuk punoj, punon vetëm burri. Familja e tij i ka kërkuar para për shkak të disa renovimeve të panevojshme në shtëpi ndërsa ai ua ka dërguar fshehtas meje ato. Kur unë kuptova për këtë gjë shumë u zemërova se paratë që unë i kursej burri im i ka dërguar te familja e tij, përderisa unë këtë verë për të kursyer nuk shkova në vendlindjen time. Ne ju ndihmojmë financiarisht atyre po unë mendoj se duhet të ketë kufij se edhe ne kemi dy fëmijë dhe kemi shpenzime të mëdha. Dua ta di se a kam gabuar që jam zënë me burrin tim për këtë gjë?

***

Përgjigjja:

Fillimisht ju përgëzoj për kujdesin tuaj që burri i juaj të kursejë nga të ardhurat e tij dhe të mos bëjë ai shpenzime të panevojshme (masraf). Mirëpo sa i përket zënkave tua që keni pasur me burrin tuaj për shkak të ndihmës materiale që ai i ka dhënë familjes së tij, keni gabuar, sepse ju nuk keni të drejtë që t’i ndërhyni burrit në planet e tij materiale, derisa ai i ka mjetet e veta, që i fiton me djersën e tij, pavarësisht se ai ndihmon familjen e tij, apo shpenzon diku tjetër. Ju keni të drejtë t’i kërkoni burrit t’i plotësojë nevojat e juaja dhe të fëmijëve tuaj, por nëse ai këto i përmbush, atëherë është i lirë që të vendosë se ku i shpenzon të ardhurat e tij, pasi ai bën sevap me këtë gjest, ndërsa ju nuk keni nevojë ta pengoni atë nga sevapi, e sidomos kur është në pyetje ndihma ndaj familjarëve të tij.
Motër, ju si bashkëshorte duhet të kontribuoni që burri i juaj të kujdeset dhe të ketë mirësjellje me familjen e tij, e jo të luani rol destruktiv në marrëdhëniet e tij me të afërmit e tij. Nëse thjesht e vëreni se ata e keqpërdorin bujarinë dhe solidaritetin e tij, e që ju kushton juve në të ardhmen tuaj, atëherë mund t’ia kujtoni se ai duhet të jetë më i vëmendshëm, por gjithherë duke e mbajtur të ngrohtë me familjen e tij e jo duke e ftohur.

Sa i takon vizitës suaj familjes, atë keni të drejtë ta kërkoni nga burri i juaj në suaza normale, duke mos e tepruar dhe duke mos i tejkaluar mundësitë e tij.

Sido që të jetë, motër e nderuar, sikur mjetet materiale që mund të jenë shkak i mirëqenies dhe stabilitetit familjar, mundohu që edhe në aspektet e tjera të kontribuosh që t’i mbani lidhjet tuaja bashkëshortore vitale dhe të mos e vëni në rrezik qoftë edhe në mënyrën më minimale jetën tuaj bashkëshortore!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku