Pyetja:

Jam martuar me personin që e kam dashur, më kanë kënduar dasmorët, por nganjëherë e ngatërronin emrin tim në këngë, por përsëri ia qëllonin, pastaj kam hyrë dhëndër. Njëherë e kam ëndrruar babanë e tij të vdekur që më fliste mua, edhe pse nuk e kam njohur fare… Tani jam ndarë krejt prej tij në realitet, por po vuaj shumë. Nuk e di, e lus Allahun çdo ditë të ma largojë nga zemra, pasi më duket gjë e kotë të mendoj për të, por kot. Ndihem shumë e ngarkuar psiqikisht, më vjen të qaj ngado që shkoj, nuk jam e qetë. Nuk e di ç’po ndodh me mua.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në këtë përgjigje ndihemi të obliguar që të cekim një gjë që e kemi bërë disa herë, por fatkeqësisht si shkak i rrethanave në të cilat jetojmë e bëjnë që shumë muslimanë të rinj dhe muslimane të reja ta konsiderojnë të thjeshtë, e që në realitet është shumë e madhe. Dhe si shkak i neglizhencës së tyre në këtë çështje po lindin shumë probleme, që pastaj për zgjidhjen e tyre po kërkohet ndihmë.

Muslimani, respektivisht muslimania, duhet ta kuptojë se të gjitha format e kontaktit mes dy gjinive, që nuk nënkupton fejesë ose martesë, janë të ndaluara. Nuk themi se mashkulli nuk lejohet të takohet me femrën të cilën dëshiron ta marrë për grua dhe anasjelltas, por kjo duhet të bëhet duke pasur parasysh konditat sheriatike dhe kufijtë e paraparë. Në anën tjetër, çdo lidhje e vazhdueshme me biseda, shoqërime, vizita të ndërsjella (qoftë edhe me dije të familjeve), mirëpo që bëhet para fejesës dhe jashtë martese, është e ndaluar rreptësisht në Islam.

Prandaj, motër e nderuar, ju duhet të kuptoni se me veprimet që keni bërë keni hidhëruar Allahun e Lartësuar dhe duhet të pendoheni dhe të ndieni keqardhje për ato vepra. Pastaj dijeni se ato kujtime janë cytje nga shejtani, i cili mundohet t’ju destabilizojë në rrugën e pendimit, të cilës i keni hyrë. Mundohuni të hapni faqe të re në jetën tuaj dhe shoqërohuni me shoqe besimtare, nga të cilat do të përfitoni moral, sjellje, dituri dhe ta pastroni veten e të bëheni besimtare e përkushtuar në rrugën e Allahut të Plotfuqishëm.

Alaudin Abazi