Pyetja:

1. Kam parë disa foto të disa dijetarëve, por nuk kam parë që ta lëshojnë mjekrën, si ka mundësi? Ata janë
Abdul Basid (vetëm me mustaqe)
Sejid Kutub (vetëm me mustaqe)
Sejid Sabik (të shkurtuar mendoj)
Abdulaziz Bin Baz (me mjekër të shkurtuar)
Nasirudi Albani (nuk e di e ka shkurtuar apo aq e ka)
Muhamed El Gazali (s’ka fare)

2. Më tregoni disa dijetarë të Ehli Sunetit dhe disa libra të mirë të botuar në shqip.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Në lidhje me mjekrën, për lëshimin e shkurtimin e saj nuk ka diçka të definuar në të cilin ka konsensus te të gjithë dijetarët, me fjalë të tjera për këtë ka mendime të ndryshme. Mund të përmbledhim kryesisht katër mendime të fikhut rreth mjekrës:

– Mjekra konsiderohet sunet dhe ai që e lëshon shpërblehet, kurse ai që nuk e lëshon nuk ka mëkat.
– Mjekra është vaxhib dhe nuk lejohet assesi shkurtimi i saj.
– Mjekra është vaxhib, por lejohet të shkurtohet vetëm çfarë tejkalon një grusht.
– Mjekra është vaxhib, por nëse njeriu e lëshon aq sa të duket se ka mjekër, atëherë ai ka zbatuar urdhrin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Prandaj kjo që ju keni parë të disa dijetarë bashkëkohorë të respektuar, se nuk kanë mjekra, është për shkak se ata përkrahin mendimin se dispozita e mjekrës është sunet dhe nëse njeriu nuk e mban, nuk bën mëkat.

Nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë, por vetëm themi se kjo çështje është nga gjërat në të cilat ka mospajtim dhe dallimi i mendimeve në këtë është i njëjtë sikurse dallimi në shumë çështje të tjera të fikhut. Kurse qasja jonë duhet të jetë që ta shikojmë të saktën e mbështetur në argumente më të fuqishme. Për më gjerësisht rreth dispozitës së mjekrës kthehu këtu:
http://www.klubikulturor.com/fikh/2007/sunetet_e_fitres_II.htm

Allahu e di më së miri!

2. Kurse librat të botuar në shqip, themi se kemi shumë dhe është vështirë që të bëjmë seleksionime, por mund t`i veçojmë librat e botuar në përmbledhjen “Biblioteka Familjare”, pasi është bërë një zgjedhje profesionale e adekuate për nevojat e një muslimani shqipfolës. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi