Pyetja:

Në muajin Ramazan unë duhet t’u përgatis ushqimin njerëzve që nuk agjërojnë. Si t’ia bëj? Ta lë punën e pas Ramazanit të shikoj ndonjë punë tjetër?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Agjërimi i Ramazanit është njëri nga adhurimet më thelbësore të Islamit mbi të cilin ndërtohet feja. I Dërguari na tërhoqi vërejtjen që të mos e neglizhojmë këtë adhurim duke thënë: “Kush e prish (e ha) një ditë të Ramazanit pa arsye (pa justifikim) dhe pa qenë i sëmurë, nuk do të arrijë ta kompensojë atë ditë edhe nëse agjëron tërë kohën.” [1]

Në anën tjetër, nga parimet themelore të Islamit është rregulli i nxjerrë nga ajeti kuranor: “Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në devotshmëri dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi!” (Maide: 2)

Kush agjëron vetë, por në një formë i ndihmon të tjerët që të hanë pa justifikim në Ramazan është duke bashkëpunuar dhe duke ndihmuar atë person në mëkat. Përgatitja dhe shërbimi i ushqimit ditën e Ramazanit jo agjëruesve është formë e shprehjes së pajtimit me veprën e atyre njerëzve. Pastaj transmetohet se Enes ibën Maliku ka thënë: “I Dërguari i Allahut në çështjen e alkoolit i mallkon dhjetë lloje njerëzish: atë që e shtrydh, atë të cilit i shtrydhet ajo, atë që e pi, atë që e bart, atë të cilit i bartet, atë të cilit i shërbehet, atë që e shet, atë që ha nga fitimi i tij, atë që e blen, atë të cilit i blihet.” [2]

Nga ky hadith nënkuptojmë se si Allahu, kur e ndaloi pirjen e alkoolit, ndaloi edhe të gjitha gjërat e tjera të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me pirjen. Ndoshta dikush do të mund ta arsyetonte lejimin e punës nëpër restorante në Ramazan, se ata që do të ushqehen aty nuk janë muslimanë. Atyre u themi se pa marrë parasysh se kush do të hajë aty, ofrimi i ushqimit dhe i pijes në ditën e Ramazanit nga një musliman bën që të përhapet paragjykimi në shoqëri për mosmbajtjen e agjërimit, pastaj ndihmohet prishja e imazhit të Islamit në shoqëri, anashkalohet vlera dhe besueshmëria e këtij muaji të shenjtë.

Prandaj, duke pasur parasysh këto që përmendëm, vëlla i nderuar, ju porosisim që në çfarëdo forme të kërkoni leje për të mos punuar gjatë muajit të Ramazanit. Shpresojmë se me një sqarim të thjeshtë ndaj shefit tuaj për arsyen e të mos punuarit, do të hasni në mirëkuptim. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, atëherë ju keni të drejtë si të gjithë punëtorët të kërkoni pushimin vjetor, që ju takon, gjatë Ramazanit.

Nuk shohim ndonjë shkak që t’ju rekomandojmë të shërbeni apo përgatisni ushqime për jo agjëruesit gjatë ditës së Ramazanit. Kjo për faktin se në shoqërinë tonë është më se e nevojshme që të ngjallim frymën dhe ndjenjën e shenjtërisë së këtij muaji të bekuar dhe të mos e shkelim atë vlerë që ka mbetur te njerëzit në përgjithësi. Tregohet se viteve të mëhershme, edhe pse ishte kohë e komunizmit, njerëzve të cilët nuk e mbanin Ramazanin u vinte turp që ta dilnin publikisht dhe të hanin para të tjerëve. Në kohën tonë të rrallë janë ata që veprojnë kështu, prandaj ne duhet të kontribuojmë për rikthimin e vlerave dhe të mirave në shoqërinë tonë. Po të ishte puna juaj në ndonjë vend të huaj në Perëndim dhe po që se ju do t’u përgatisnit ushqim jobesimtarëve, ndoshta puna juaj aty gjatë Ramazanit do të ishte më pak e dëmshme, edhe pse edhe në këtë rast do të ishte shumë më e dobishme që të mos shërbenit aty gjatë këtij muaji.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

——————-

[1] Tirmidhiu, Ebu Davudi

[2] Tirmidhiu