Pyetja:
A bën të përdor farën e zezë (nigella sativa) pa pasur ndonjë sëmundje? Kur dhe si e ka përdorur Pejgamberi ﷺ, në çfarë sasie, sa herë në ditë? Në formë shurupi apo tabletë?
***
Përgjigjja:
Fara e Zezë (Nigella Sativa ose Habetu Sevda`ë) është një bimë që përmban vaj acidik të pangopur, vaj me eter, vitamina dhe një sërë substancash të tjera të domosdoshme për organizmin. Tashmë është vërtetuar se vaji acidik i pangopur që përmban Fara e Zezë ndikon pozitivisht mbi metabolizmin e trupit, rrit imunitetin dhe ndalon alergjinë. Mjekët dhe studiuesit të cilët janë marrë me studimin e efekteve të kësaj fare theksojnë se krahas ndikimit të kësaj fare për shërimin e sëmundjeve të ndryshme ajo është e shëndetshme të përdoret edhe në jetën e përditshme, pasi ndihmon metabolizmin e trupit, rrit imunitetin, ndihmon në rinovimin e qelizave, e stabilizon kolesterolin në gjak, etj. Prandaj mund të themi se përdorimi i kësaj fare është mjaft i shëndetshëm edhe nëse nuk vuajmë nga ndonjë sëmundje e caktuar.
Ndërsa në lidhje me mënyrën se si është përdorur kjo farë në kohën e të Dërguarit ﷺ nuk kemi hasur në ndonjë hadith apo citat nga sahabët për këtë. Por, dijetari Ibn Kajim El-Xhevzije, në librin “Mjekësia e të Dërguarit Muhamed ﷺ,”, f. 332-337, përshkruan me hollësi mënyrat e përdorimit të kësaj fare dhe efektet e saj, prandaj ju këshillojmë të lexoni këtë libër.
Alaudin Abazi