Pyetja:

E kam një sëmundje të muskujve. Jam në karrocë që 8-9 vite, por kjo sëmundje ende punon sepse për çdo vit pak nga pak më dobësohen këmbët dhe duart. Këmbët i lëviz ngadalë, por s’më mbajnë sa për të ecur, kurse me duart mund të shkruaj në kompjuter, të ha etj., por edhe duart më dobësohen pak nga pak; është sëmundje që nuk shërohet dhe pyetja ime është: kam arritur në vitet kur jam i pjekur për martesë, por unë nuk dua të martohem me ndonjë vajzë sepse nuk kam fuqi, nuk mund të mbaj familje sepse jam i sëmurë, nuk mund t’i plotësoj kushtet, e dini edhe ju për një jetë bashkëshortore sepse ka obligime martesa siç e dimë të gjithë. Në Kuran kam lexuar për martesën se është obligim për muslimanin, po ashtu edhe në hadithet e Pejgamberit ﷺ se martesa është sunet dhe e kemi detyrë të martohemi, të krijojmë familje dhe të shumohemi. Pra, unë që kam këtë sëmundje, a lirohem nga ky obligim sepse edhe prindërit kanë nisur të më flasin për martesë. Babai im më thotë se e kam obligim si baba të të martoj, kurse unë çdo herë kundërshtoj për shkak se nuk jam i aftë. Kurse kështu mund të bëj fëmijë etj., nuk kam kurrfarë të mete në organet gjenitale, por fuqi nuk kam, nuk më punojnë duart dhe këmbët.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Së pari, e lus Allahun e Madhëruar që të të shëroj nga kjo sëmundje, me të vërtetë Ai është i Plotfuqishëm dhe bën atë që dëshiron.

Pastaj duhet ta dish vëlla se Allahu i Lartësuar na ka krijuar në këtë botë që të na sprovojë se cili prej nesh është më vepërmirë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” (El Mulk: 2)

Martesa në Islam fillimisht është e lejuar dhe nuk është obligim, pra martesa është sunet i Pejgamberit ﷺ dhe ka raste kur njeriut i obligohet martesa dhe ka raste kur njeriut i ndalohet martesa.

Në rastin tënd, vëlla, ti nuk e ke për obligim martesën dhe nuk ke fare përgjegjësi para Allahut që nuk martohesh. Dhe prindërve u ndalohet të të detyrojnë të martohesh pasi, nëse martohesh, ka mundësi që nuk mund t’ia japësh hakun gruas ose nuk ke mundësi t’i kryesh obligimet ndaj gruas dhe familjes.

Pra, ti, vëlla, nuk ke kurrfarë mëkati që nuk martohesh, Allahu të shëroftë sa më shpejt nga kjo sëmundje dhe Allahu të shpërbleftë për durimin që bën!

Eroll Nesimi