Pyetja:

A do të hyjë në Xhenet gruaja e cila nuk ka vendosur shaminë (mbulesen)?

***

Përgjigja:

Vendosja e shamisë per gruan muslimane është një detyrim i vendosur nga Allahu, dhe dënimi i saj për mosvendosjen e shamisë dhe mbuleses islame bën të meritojë dënimin e Allahut, si për thyerjen e urdhërit të Allahut, ashtu edhe për ngacmimet që mund të ketë shkaktuar te meshkujt e huaj.

Por, sipas besimit Islam, ai musliman që bën gjynahe, qofshin edhe të mëdha, por që vazhdon të jetë në rrethin e Islamit dhe të mos ketë dalë në kufër e në shirk, ai është në mëshirën e Allahut, që, nëse do Allahu, e fal atë dhe, nëse do, e dënon për këto mëkate, pastaj e nxjerr nga zjarri i Xhehenemit dhe e fut në Xhenet, sepse asnjë musliman nuk do të qëndrojë përgjithmonë në zjarr. Ky gjykim është për ata që vdesin dhe nuk pendohen nga mëkati i tyre, sepse ata që pendohen nga mëkati, ai mëkat u fshihet nga Allahu dhe ata nuk dënohen për të në botën tjetër.

Allahu na ruajttë nga dënimi i Tij dhe na fustë në xhenet pa llogari, sepse kushdo që merret në llogari në Ditën e Kiametit, do të dënohet, siç ka thënë Profeti ﷺ, sepse askush nuk mund të polemizojë me Allahun atë ditë, Njohësin e çdo vepre të robërve të Vet në hollesi, madje vetë marrja në llogari është dënim për njeriun, Allahu na pastë në mëshirën e Tij!

Alaudin Abazi