Pyetja:
A është e vërtetë se Qabeja do të shkatërrohet para Kiametit?
***
Përgjigjja:
Para kiametit do të ndodhin shumë gjëra për të cilat ka lajmëruar Kurani dhe i Dërguari i Allahut ﷺ në hadithet e tij. Në këtë kontekst, është edhe shkatërrimi i Qabes nga një person i cili do vjen prej Etiopie. Kjo duket tash për tash pak e çuditshme, ngase muslimanët janë të lidhur për Qabenë, gjegjësisht Qabeja është ana kah e cila ata kthehen në namaz. Por, para Kijametit do të ndodhin gjëra vërtet të çuditshme. Nëse analizohen mirë ndodhitë para kiametit, do të shihet se në mesin e njerëzve do të ketë devijim të madh dhe çrregullim të jetës nga aspekti fetar. Njerëzit aq tepër do të largohen nga rruga e Allahut, sa që nuk do të ketë kush t’i dalë zot Qabesë. Për atë, Qabeja do të prishet. Kiametin do ta mbrrinë njerëzit më të këqij, ndërkaq njerëzit besimtarë do të vdesin para kiametit, me qëllim që mos e përjetojnë llahtarinë e ndodhive që do të ndodhin në kosmos me rastin e shkatërrimit të botës dhe ardhjes së Kiametit.
Rasti i prishjes së Qabes është vërtetuar nga vetë i Dërguari i Allahut ﷺ. Kështu, transmentohet prej Ebu Hurejres i cili thotë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Qaben do ta rrënojë Dhu Es-Suvejkatejni prej Abesinije.” [1]
Transmetohet prej Ibën Abbasit se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Sikur e shoh se është i zi dhe me këmbë të shtrembëta, dhe ia nxjerr gurët Qabes një nga një.” [2]
Transmetohet nga Abdullah ibën Amër ibën El-A’sit, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me prindin e tij, i cili thotë: E dëgjova të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: ”Qaben do ta shkatërrojë Dhu Es-Suvejkatejni nga Abesinija. Ai do ta grabit nakitin e saj dhe do t’ia hjek mbulesën. Sikur unë e shoh atë pa flokë dhe këmbë të shtrembëta duke i mëshuar Qabes me kazmën dhe lopatën e tij.” [3]
Ibn Kethiri ka thënë: ”Allahu e di më së miri, por kjo si duket do të jetë pas daljes së krijesave Jexhuxh dhe Mexhuxh, bazuar në hadithin të cilin e transmenton Buhariu në Sahih-un e tij prej Ebu Sei’d El-Hudrijut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: I Dërguari i Allahut ﷺ, tha: ”Edhe pas daljes së Jexhuxhit dhe Mexhuxhit, njerëzit do ta kryejnë haxhin dhe umren në Qabe.”
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu
——————-
[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Buhariu
[3] Imam Ahmedi në “Musned”