Pyetja:

Ne jemi një familje që Allahu na dha pasuri dhe mirësi të shumta. Ne jemi pronarë të shumë sipërmarjeve, të cilat janë rentabile dhe na sjellin fitime të shumta. Për këtë i jemi mirënjohës Allahut të Madhërishëm. Ne e japim zekatin e pasurisë e pasurisë tonë për çdo vit, duke e kryer në këtë mënyrë obligimin tonë fetar dhe duke e falënderuar Allahun e Madhërishëm për këto begati. Ne kemi pasuri edhe jashta vendit, dhe për çdo vit prej kësaj pasurie që e kemi jashtë kemi fitime solide, falë Allahut të Madhërishëm. Mirëpo, në kohën e fundit kemi kuptuar se për këtë pasuri që e kemi jashtë, nuk është dhënë zekati për disa vite me rradhë nga neglizhenca dhe harresa jonë. Ne ka mundësi ta llogarisim sasinë që duhet ta japim si zekat për vitet e kaluara përmes buxheteve dhe raporteve financiare të cilat publikohen për çdo vit. Për atë, pyesim se si duhet të veprojmë për këto vite që nuk e kemi nxjerrë zekatin e kësaj pasurie. A jemi të obliguar që ta japim menjëherë, duke u vënë në dijeni se bëhet fjalë për shuma të mëdha të cilat mund të jenë milionëshe?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Allahu e shpërbleftë vëllaun e nderuar për përkushtimin e tij që t’i kryej obligimet ndaj Tij, në këtë rast duke e dhënë zeqatin ashtu që ta pastrojë veten dhe pasurinë e tij, si dhe që me të të jetë i kënaqur Krijuesi i Madhërishëm.

Nuk ka dyshim se zeqati është haku i Allahut në pasuri, e poashtu është edhe hak i të varfërve, të ngratëve dhe kategorive tjera të cilëve u takon. Këtë hak, Allahu i Madhërishëm e ka caktuar për ta dhe obligoi që pkesa që jepet zeqat, të destinohet për këto kategori.

Zeqati është një obligim i konfirmuar i cili nuk pezullohet për shkak të kalimit të kohës, apo për shkak se bëhet lëndë e vjetër, si që është rast në ligjet laike, po as që pezullohet për shkak se pronari i pasurisë është bërë i varfër, nëse kushtimisht themi se pasi t’i jetë bërë obligim zeqati, është bërë i varfër. Zeqati nuk pezullohet as me vdekjen e personit i cili e ka patur obligim. Asnji nuk ka të drejtë ta pezullojë këtë hak, qoftë individ apo sundimtar. Bile, as të varfërit dhe kategoritë tjera të cilëve u takon, nuk kanë të drejtë që pasanikëve t’u thonë:Ne u lirojmë ju nga obligimi i zeqatit që e keni ndaj nesh, nuk duam të na jepni zeqatin. Kjo, ngase zeqatin e ka bërë obligim Allahu i Madhërishëm. Ai e ka bërë zeqatin një nga shtyllat e Islamit, që do të thotë se asnji krijesë nuk ka të drejtë ta pezullojë.

Së këtejmi, pyetësi e ka obligim që ta jep zeqatin e çdo viti, në bazë të buxheteve dhe raporteve financiare, nëse janë të sakta dhe reale. Zeqatin e çdo viti nuk e llogarit në shumën e vitit që pason. Ta sqarojmë me shembull: Nëse te personi përkatës gjinden një miljon, ai e nxjerr zeqatin i cili është 25 000. Këtë sasi që e ka nxjerrë për zeqat, nuk e llogarit në shumën e vitit që pason, e kështu me radhë. Edhe pse sasia prej 2,5% nuk ka ndikim të madh, megjithatë kështu është obligim të veprohet.

Ndërsa, për sa i përket vetë zeqatit, parimisht zeqati duhet të jepet menjëherë, ngase zeqati është obliguar që të plotësohen nevoja uregjente. Për atë, nuk bën të vonohet. Poashtu, parimisht urdhërat duhet të zbatohen menjëherë, e në veçanti kur e kemi parasyshë faktin se Allahu i Madhërishëm na ka urdhëruar që të shpejtojmë dhe të garojmë në të mira.

Mirëpo, lejohet të vonohet zeqati, pasi të merret prej pasurisë së pronarit, në një kohë të caktuar nëse është në interes të të varfërit dhe kategorive që u takon, fjala vjen nëse personi që e jep zeqatin vendos që t’ia jep të varfërit në formë të ndihmës mujore, që t’i vjen si rrogë apo pension, nga frika se poqese ia jep menjëherë zeqatin e një viti, i varfëri do ta harxhon për disa ditë apo për disa javë, e pastaj përsëri përsëri do t’ua zgjat dorën njerëzve gjatë vitit.

Nisur nga kjo, nuk pengesa që vëllau që e parashtroi pyetjen dhe familja e tij të mendojnë të realizojnë projekte për të varfërit dhe për kategoritë tjera të cilëve u takon zeqati, në veçanti kur janë në pyetje vendet e varfëra muslimane dhe ato që rrezikohen nga misionarët krishterë dhe tjerë. Kështu, ka mundësi që në këto vende të hapin shkolla apo fakultete për t’i arsimuar, apo të ndërtojnë spitale për kurimin e tyre, apo jetimore që do të përkujdesen për fëmijët pa prindër, etj. Ka mundësi që të hapin për ta edhe fabrika, me atë që ata të jenë pronarë si aksionerë, ashtu që nga të qenit skamnorë të shndërrohen në pronarë. Ky konstatim bazohet në mendimin e imam Shafiut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili është i mendimit se të varfërit duhet të kenë mjete të mjaftueshme nga zeqati. Edhe Omeri r.a. ka thënë: ”Kur t’u jepni, jepnu aq që mos të jenë të nevojshëm”.

Dr.Jusuf el-Kardavi, Fetava mua’sire-Fetva bashkëkohore pjesa: III

Përktheu: Bashkim Aliu