Pyetja:

Jam martuar që 2 vjet dhe ende s’kam fëmijë. Disa po më sygjerojnë që të shkoj te ndonjë mjeke popullore që të ma rregullojë mitrën se mos e kam të lëshuar më poshtë. Trajtimi bëhet duke e shtypur barkun dhe duke e lidhur me rryp. A bën të shkoj te këto mjeke?

***

Përgjigja:

Së pari, më duhet të theksoj se prej muslimanit kërkohet ta ruaj shëndetin dhe të kërkojë shërim të lejuar, kur të sëmuret. Besimtari duhet të jetë i bindur se shërimi ndodh me lejen e Allahut të Madhërishëm, ndërkaq mjekët dhe ilaçet janë vetëm shkak. Kështu, Kur’ani na rrëfen se Ibrahimi a.s. në mes tjerash, e ka përshkruar Allahun e Madhërishëm se është shërues, kur ka debatuar me të pafetë. Në Kuran qëndron se Ibrahimi alejhi selam ka thënë:

Dhe kur të sëmurem Ai më shëron.” (Shuara: 80)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: ”Çdo sëmundje e ka edhe ilaçin, për atë, o bij të Ademit, shërohuni, por mos u kuroni me haram.”

Pra, kërkimi i shërimit dhe shkuarja në mjek nuk është në kundërshtim me parimet Islame, por në të kundërtën, është në përputhje me ajetet e Kuranit dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Së këtejmi, nuk është e ndaluiar që një grua të shkojë te mjekeja, apo të shkojë te ndonjë grua e cila shëron me mjekësi popullore, nëse për këtë është e dëshmuar, dhe të kërkojë shërim me lejen e Allahut për sëmundjen e saj, apo të evitojë ndonji defekt. Në fakt, mjekët janë vetëm sebeb, e shëron Allahu i Madhërishëm.

Në rastin tuaj, ju nuk keni bërë asnji gabim që keni shkuar te kjo grua e cila ka përvojë në këtë drejtim për ta ngritur mitrën. Edhe pse unë ju kisha sugjeruar që të kërkoni një mjeke specialiste për sëmundje të grave, pra një gjinekologe, dhe ajo të shiqojë se prej çka vuani ju.

Sidoqoftë, në aspektin fetar shkuarja te mjekja apo te një grua që merret me mjekësi popullore, nuk është mëkat.

Mëkat është të shkosh te gra që merren me fall apo me bestytni tjera, dhe që pretendojnë se ato i shërojnë gratë të cilat nuk kanë fëmijë. Nëse e sheh se bën magji, apo merret me veprime që nuk janë të natyrës së mjekësisë nga njëra anë, dhe nuk janë në përputhje me fjalët e Allahut të Madhërishëm dhe të të Dërguarit të Allahut ﷺ, nga ana tjetër, atëherë ta dish se ajo grua merret me magji dhe bestytni, dhe e ke të ndaluar të shkosh tek ajo.

Të kërkosh shërim në rrugë të lejuar, nuk është në kundërshtim me ligjet e Allahut të Madhërishëm, por nëse ndodh që nuk ke fëmijë edhe pas drejtimit te gjinekologeja, atëherë duhet të jesh durimtare, nuk duhet ta humbish vullnetin dhe shpresat, të ngelet duaja që ia drejton Allahut të Madhërishëm, si para shkuarjes te mjekeja, poashtu edhe pas shkuarjes, ngase në fund të fundit, gjërat janë në dorë të Krijuesit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu