Pyetja:

Kur gruaja është shtatzënë namazin duhet të falë rregullisht, nëse ka probleme dhe dhimbje ditët e fundit para lindjes dhe nuk mundet të falet ato ditë duhet t’i fal pastaj?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut ﷺ ,mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

S’ka përse t’i lërë, le të falet ashtu me dhimbje kudo që është, sa të ketë mundësi, po faljen e namazit në asnjë mënyrë nuk duhet ta lërë, sepse s’ka arsye, përkundrazi falja do të jetë një ndihmë e madhe për të, sidomos në këtë rast. Allahu thotë: “Kërkoni ndihmë me namaz dhe me durim”. (Bekare: 45) Për çdo vështirësi në jetë, të parët tanë, kur hasnin ndonjë vështirësi, i falnin dy a katër rekate dhe, mbi të gjithë, Profeti i Allahut kur kthehej nga ndonjë luftë të lodhur e të rraskapitur thoshte: “…Thirre ikametin, o Bilal, të qetësohemi me namaz“. Allahu e di më së miri.

Imam dr. Ahmed Kalaja