Pyetja:

Kur vendos njeriu për të shkuar në haxh a duhet apo është më mirë të tregojë se po shkon në haxh në mënyrë që njerëzit të shkojnë për t’u përshëndetur me të dhe të kërkojnë hallallëkun apo s’ka gajle edhe nëse nuk lajmërojmë se po shkon? E bëj këtë pyetje sepse një anëtar i familjes pat vendosur që të shkojë në haxh pa i treguar askujt por i dështoi këtë herë e mua po më intereson se a është në rregull kjo që ai ka dashur të shkoj pa treguar. Nuk mendoj se është në rregull që të shkoj nëse i ka hak dikujt.

***

Përgjigjja:

Haxhi si kusht i pestë i Islamit që duhet ta kryejë muslimani, i cili posedon mjete materiale të mjaftueshme për ta kryer atë, nuk mund të mbahet fshehtë dhe nuk kërkohet nga muslimani që ta bëjë në mënyrë modeste pa e ditur të tjerët sikur që kërkohet të bëhet sadakaja-lëmosha, namazi i natës etj. Mirëpo të njëjtën kohë nuk kërkohet nga muslimani që e ka bërë nijet të shkojë për ta kryer haxhin, që ta publikojë patjetër dhe të shkojnë njerëzit për t’i uruar atij atë veprim. Absolutisht, haxhi nuk është i lidhur me përshëndetjen apo mos-përshëndetjen e njerëzve, hallallosjen apo mos-hallallosjen me njerëz. Është e vërtetë se njeriu shpreson që vërtet të kthehet nga haxhi i pastër prej mëkateve si ditën kur e ka lindur nëna dhe njëkohësisht dëshiron të mos ketë hak ndaj dikujt. Por kjo edukatë duhet të jetë e vazhdueshme dhe në çdo kohë pa marrë parasysh se shkon apo jo në haxh pasi që vdekja të zë papritmas dhe nuk ke kohë që të hallallosesh me njerëzit. Ngjashëm duhet të mendojnë edhe ata që nuk i kanë kushtet materiale të favorshme për ta kryer këtë obligim islam. A thua të tillët bën të jenë të padrejtë ndaj njerëzve dhe nuk duhet të hallallosen për haqet ndaj njëri-tjetrit?

Assesi, duhet vazhdimisht të mbahet drejtësia me njerëz dhe të mos i hyhet në hak askujt, por nëse kjo ndodh, atëherë menjëherë duhet t’i kërkojë falje, ose t’ia shpaguajë hakun.

Nëse kjo të kalon gjatë viteve, atëherë mos të kalojë edhe me rastin e shkuarjes në haxh, sepse vdekja vjen shpejt dhe një hak i vogël ndaj dikujt në këtë botë, ka çmim të shtrenjtë të pagesës në Ahiret.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku