Pyetja:

A duhet rënë në sexhde, me duar apo me gjunjë?

***

Përgjigja:

Në lidhje me këtë çështje kanë ardhur dy hadithe me përmbajtje të kundërt me njëri-tjetrin:

1-Hadithi i Uail bin Huxhr i cili thotë: “E kam parë Profetin ﷺ kur binte në sexhde vinte gjunjët para duarve.” [1]

2- Hadithi i Ebu Hurejrës i cili tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush bie në sexhde, të mos ulet si deveja por të vejë duart para gjunjëve.” [2]

Mendimet e dijetarëve në lidhje me saktësimin e këtyre haditheve.

Disa prej tyre si psh: imam Ibn El-Kajimi ka marrë për bazë hadithin e parë dhe e ka konsideruar hadithin e dytë si gabim në transmetim kur thotë: “Hadithi i dytë i është ngatërruar transmetuesit dhe se origjina e tij është “Të vejë gjunjët para duarve”.

Kurse disa të tjerë kanë marrë për bazë hadithin e dytë duke hedhur poshtë hadithin e parë sepse hadithi i dytë ka zinxhirin e tij të transmetimit të saktë kurse i pari ka në zinxhirin e tij të transmetimit një burrë që quhet Sherik ibn Abdilah El-Kadij dhe ai është i dobët në memorizimin e haditheve prandaj ai nuk merret për argument kur është vetëm e aq më tepër kur kundërshton të tjerët.

Hafiz Ibn Haxheri thotë: Hadithi i Ebu Hurejrës i cili tregon për vënien e duarve para gjunjëve është më i fortë se hadithi i Uail bin Huxhr dhe këtë gjë e ka përmendur edhe dijetari Abdul-Hak El-Ishbilij.

Këtë gjë që thotë hafiz Ibn Haxheri e thotë edhe shejh Albani se shkencëtarët e hadithit saktësojnë hadithin e Ebu Hurejrës.

Dr. Abdullah Nebolli

—————————————

[1] Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe

[2] Ebu Davudi, Nesaiu dhe Darimiu