Pyetja:

Kur personi të falet, a duhet të recitojë të gjitha dhikret e transmetuara nga Pejgamberi ﷺ apo mund të lutet me cilëndo lutje të lejueshme që do?

***

Përgjigjja:

Besimtari është urdhëruar të lutet gjatë namazit të tij në vendet ku lutja është e lejueshme, qoftë në namazin e detyrueshëm apo në atë të vullnetshëm. Vendet ku lutja është e lejueshme janë: sexhdeja, mes dy sexhdeve, dhe në fund të namazit, pas teshehudit dhe salavateve mbi Pejgamberin ﷺ dhe para selamit. Është dëshmuar se Pejgamberi ﷺ lutej për falje mes dy sexhdeve, dhe është vërtetuar të ketë thënë mes dy sexhdeve: ʺAllahume igfir li, ueʹrhamni, ueʹhdini, ueʹxhburni, ueʹrzukni, ueʹafini. /O Allah, më fal, më mëshiro, më udhëzo, më pasuro, më furnizo, më siguroʺ.
Dhe ai ﷺ ka thënë: ʺPër sa i përket rukusë, në të madhëroni Zotin, kurse në sexhde lutuni shumë, sepse ka gjasa të pranohetʺ. [1]
Po ashtu, është transmetuar nga Ebu Hurejre se Pejgamberi ﷺ ka thënë: ʺPersoni më së afërti ndaj Allahut është kur bën sexhde. Pra, lutuni shumë në tëʺ. [2]
Në është transmetuar nga Abdullah bin Mesud se, kur Pejgamberi ﷺ ia mësoi atij teshehudin, i tha: ʺPastaj le të zgjedhë çfarëdo lutje që doʺ. [3]
Sipas një transmetimi tjetër: ʺLe të zgjedhë çfarëdo lutje që do dhe ta thotë atëʺ.
Ka shumë hadithe që flasin rreth kësaj, dhe ato tregojnë se është urdhëruar të bëhet lutje në këto vende në namaz, qoftë nëse kemi të bëjmë me jetën e përtejme apo me punë të kësaj bote, për sa kohë që lutja nuk përfshin ndonjë mëkat apo ndërprerje lidhjesh familjare. Dhe është mirë të thuhen shumë lutje që janë transmetuar nga Pejgamberi ﷺ.

Shejh Ibn Baz, “Fetaua” (11/171, 172)

Ai, po ashtu, ka thënë: ʺSʹka gjë të keqe të bëhet lutje gjatë namazit, qoftë për vete, për prindërit apo për këdo tjetër. Madje, jemi porositur ta bëjmë këtë, sepse Pejgamberi ﷺ, ka thënë: ʺPersoni më së afërti ndaj Allahut është kur bën sexhde. Pra, lutuni shumë në tëʺ… Kështu, nëse personi lutet, kur është në sexhde apo në fund të namazit, për vete, për prindërit a për muslimanët, atëherë sʹka gjë të keqe në këtë, për shkak të domethënies së përgjithshme të këtyre haditheve dhe të tjeraveʺ.

Fetua Shejh Ibn Baz, Fetua (11/173, 174)

—————————-

[1] Muslimi

[2] Muslimi

[3] Buhariu dhe Muslimi