Alkooli në dasma

Pyetja:

A lejohet të prezantosh në dasëm ku pihet alkooli?

***

Përgjigjja:

Ajeti me të cilin ndalohet alkooli për muslimanin thuhet kështu: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Prandaj, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide: 90)

Në këtë ajet kur thuhet: “…prandaj, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” vërejmë se ndalesa e alkoolit përfshin më shumë se pirjen dhe konsumimin. Për këtë edhe transmetohet se Enes ibën Maliku ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ në çështjen e alkoolit i mallkon dhjetë lloje njerëzish: atë që e shtrydh atë, atij që i shtrydhet ajo, atë që e pi, atë që e bart, atij të cilit i bartet, atij që i serviret, atë që e shet, atë që ha nga fitimi i tij, atë që e blen, atij të cilit i blihet.” [1]

Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, mos të ulet në tavolinën në të cilën pihet (në një transmetim tjetër qarkullon) alkooli.” [2]

Duke pasur parasysh këto që përmendëm, themi se nuk është e drejtë që besimtarja e cila mundohet t`u përmbahet urdhrave të Allahut, të jetë e pranishme në ato tubime dhe ahengje në të cilat pihet alkooli, pasi kjo gjë e hidhëron Allahun dhe është një veprim i cili në një formë manifeston pajtueshmëri me ata që e pinë atë. Islami nuk është që njeriu të shikojë vetëm veten dhe të mos interesohet për të tjerët, por secili musliman varësisht prej mundësive e ka përgjegjësi dhe duhet të interesohet në udhëzimin e të tjerëve në atë që është e drejtë dhe e mirë.

Në këtë vend dëshirojmë ta cekim edhe atë se i kemi parasysh rrethanat dhe gjendjen e shoqërisë në të cilin jetojmë dhe është shumë e mundshme se vendi për të cilin kundërshtoi burri juaj, që të shkoni, mund të jetë edhe dasmë e ndonjë të afërmi të ngushtë, madje edhe e të vëllait, por megjithëkëtë duhet të keni mirëkuptim edhe ju. Ne nuk themi se në asnjë formë nuk lejohet të jeni e pranishme në dasma të këtilla, posaçërisht nëse është dasmë e familjes së ngushtë, por nëse është e mundur t`i ikni dhe nëse kjo nuk do të shkaktojë shumë probleme, atëherë mos shkoni. Por nëse jeni e detyruar për shkak të mbajtjes së lidhjes me familjen, që në të ardhmen kjo afërsi do të kontribuojë në përmirësimin e tyre, atëherë ndoshta do të ishte e mundur të shkoni, por duke pasur parasysh t`i ikni uljes në tavolina ku pihet alkooli.

Allahu e di më së miri!

Shkroi: hoxhë Alaudin Abazi

———————–

[1] Tirmidhiu

[2] Darimiu dhe Tirmidhiu