Pyetja:
Nëse një grua aborton spontanisht para 80 ditëshit dhe pastaj gjatë gjakderdhjes ajo nuk është falur duke menduar se është gjak i lehonisë, tani a do duhej t’i bëjë ato kohë namazi kaza?

Përgjigjja:
Nëse ndodh aborti para tetëdhjetë ditëve ose para se të fillojë të formësohet embrioni (fetusi), sikurse të fillojnë të dallohen koka dhe organet qoftë edhe vetëm pak, atëherë gjaku që rrjedh nuk është gjak i lehonisë, por është gjak i prishur. Prandaj në këtë periudhë nuk lejohet të lihet namazi dhe agjërimi.

Mirëpo nëse gruaja e ka lënë namazin në këtë situatë dhe nuk e ka ditur se nuk i lejohet lënia e namazit dhe këtë e ka kuptuar pas një kohe, atëherë a obligohet me kompensim apo jo. Në këtë ka dy mendime:

Mendimi i shumicës së ulemave (xhumhuri) është se obligohet me kompensim (kaza) për secilin namaz që ka lënë.

Ndërsa mendimi i një grupi ulemash, ndër ta shejh Ibën Tejmije, janë të qëndrimit se nëse njeriut nuk i arrin dituria për një çështje se e ka obligim dhe ai nuk e vepron dhe pas një kohe i arrin ajo dituri, atëherë ai nuk obligohet me kompensimin e asaj që ka lënë nga padituria.

Këto dy mendime janë kryesisht ato me të cilat kanë dhënë fetva dijetarët si në të kaluarën ashtu edhe tani. Ne, nga pamundësia e zgjerimit dhe thellimit për shkak të kohës, themi se mendimi i dytë është mjaft logjik dhe i bazuar në parimet e përgjithshme të bazave të Usuli Fikhut, por megjithëkëtë që të përzgjedhim atë qëndrim nevojitet ende mjaft hulumtim dhe studim, prandaj më e sigurt dhe më e pëlqyeshme do të ishte që ju të merrni mendimin e shumicës dhe t’i kompensoni ato ditë. Allahu e di më së miri!

 Hoxhë Alaudin Abazi