Pyetja:
A është e udhës të mjaftohemi vetëm me faljen e namazeve farz pa i falur namazet sunete, pra ato vullnetare?
***
Përgjigjja:
Pesë namazet e ditës janë obligim për tu falur për çdo mysliman dhe myslimane. Përveç këtyre namazeve që janë të detyrueshme ka edhe namaze të tjera që janë vullnetare, të cilat i ka falë Profeti ﷺ dhe ua ka mësuar myslimanëve. Muslimani duhet të ketë shumë kujdes për të mos i lënë këto namaze për disa arsye:
1-Falja e këtyre namazeve e afron myslimanin më pranë Allahut të Lartësuar. Jo vetëm kaq por atij i shtohen edhe sevapet. Duke qenë se çdo njeri dëshiron që ta shtojë llogarinë e tij bankare, atëherë përse mos t’i shtojë veprat e mira, të cilat janë të përhershme dhe i bëjnë dobi. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Ajo është dita ku nuk bën dobi as pasuria e as fëmijët përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.” Në një hadith kudsij lexojmë: “Robi Im afrohet tek Unë kur i kryen obligimet që ia kam dhënë. Ai vazhdon të afrohet tek Unë akoma më tepër me punët vullnetare derisa Unë e dua atë. Në qoftë se Unë e dua atë, atëherë jam dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi që shikon dhe dora me të cilën prek.”
2-Mos falja e namazeve vullnetare është pothuajse e ngjashme me mungesën e dashurisë për Profetin ﷺ Allahu i Lartësuar thotë: “Tek Profeti ﷺ ju keni shembullin më të mirë.” Ai i cili e do Profetin ﷺ e ndjek rrugën e tij. Përderisa ai i ka pas falur namazet vullnetare, atëherë është detyrë e jona që t’i falim, sepse duke mos i falur atëherë e kemi deklaruar si të vdekur rrugën e tij.
3-Falja e namazeve vullnetare është plotësim i mangësisë që mund të ndodhë nga falja e namazeve farz. Kush është ai njeri i cili mund të pretendojë se e ka falur namazin farz të plotë dhe e ka falur atë sipas rregullave të duhura!? Ndoshta gjatë namazit mendja është duke fluturuar, zemra është e shkujdesur e trupi nuk është i qetë. E ndoshta kushtet e namazit nuk i ka plotësuar ashtu siç duhet. Gjëja e parë për të cilën do të pyetet njeriu në ditën e gjykimit është namazi. Nëse namazet farze nuk janë të plota do të shikohet nëse ka faur namaze vullnetare që të jenë plotësuese të namazeve farze.
Megjithatë ai person i cili mjaftohet vetëm me faljen e farzeve pa ato vullnetare, nuk ka bërë ndonjë mëkat e as nuk do të ndëshkohet nëse i ka kryer namazet farze ashtu siç duhet. Nga hadithet e sakta transmetohet se Profeti ﷺ i ka thënë një bedeuini i cili është mjaftuar vetëm me faljen e namazeve farz: “Nëse e mban fjalën ka për të shpëtuar.” apo “Nëse e mban fjalën do të hyjë në xhenet.” ose “Kush dëshiron që të shikojë një person që është prej banorëve të xhenetit le të shikojë tek ky person.”
Allahu e di më së miri.
Jusuf el-Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi