Pyetja:

A pranohet agjërimi i personit që nuk fal namaz?

***

Përgjigjja:

Falënderimi qoftë për Allahun, ndërsa salavati, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë deri në Ditën e Gjykimit.
Muslimanit i kërkohet kryerja e të gjitha ibadeteve (adhurimeve): falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit, kryerja e haxhit – vizita e Qabes kur të ketë mundësi udhëtimi.
Andaj, kush e lëshon ndonjërën prej këtyre ibadeteve pa arsye, Allahu i Madhërishëm e merr në llogari. Rreth kësaj çështjeje, dijetarët muslimanë kanë pikëpamje të ndryshme:

– disa thonë se ai person është pabesimtar nëse e lëshon cilëndo njërën prej këtyre ibadeteve;
– disa të tjerë e konsiderojnë pabesimtar personin që nuk e fal namazin dhe nuk e jep zekatin;

– ka të atillë që e konsiderojnë pabesimtar vetëm personin që nuk e fal namazin, për shkak të statusit të tij që ka në fenë e Allahut, si dhe në bazë të hadithit të Pejgamberit ﷺ ku thuhet: “Robin (e Allahut, besimtarin) prej kufrit (mosbesimit) e ndanë namazi.” [1];
– një grup e konsiderojnë pabesimtar personin që me qëllim nuk e fal namazin, andaj këta nuk mendojnë se agjërimi i tij pranohet, sepse në fakt, nga pabesimtari nuk pranohet asnjë ibadet;
– disa e konsiderojnë se ai është besimtar musliman për sa kohë beson Allahun, të Dërguarin ﷺ dhe Shpalljen dhe nuk i lufton ato as nuk i vë në dyshim. Ky grup dijetarësh këtë person e cilësojnë si mëkatar ndaj urdhërave të Allahut (fasik).
Ndoshta ky mendim – Allahu e di më së miri – është më i drejtë dhe më i afërm. Prandaj, nëse e lëshon zbatimin e ndonjë ibadeti (farzi) për shkak të përtacisë apo këndjes – duke mos e mohuar as duke mos u tallur – kurse ndonjë tjetër (ibadet) e kryen, ai e ka Islamin të mangët, besimin e dobët, dhe është frikë për besimin e tij, nëse vazhdon me lëshime. Ndërkaq, Allahu askujt nuk ia humb shpërblimin e veprës së mirë. Por ai tek Allahu sipas sasisë së veprës: do të ketë shpërblim për atë që ka kryer, ndërsa do të ndëshkohet për atë që ka lëshuar.
Dhe çdo vepër, qoftë e vogël dhe qoftë e madhe është rradhitur (evidentuar në Lehvi Mahfudh).” (Kamer: 53)
E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zilzal: 78)
Përktheu: Miftar Ajdini

———————————–

[1] Muslimi