Pyetja:

A mund të na tregoni procedurën e saktë të dhënies së huas? A është gjynah nëse nuk marrë një dëshmitar dhe i jap para një personi?

***

Përgjigjja:

Lavdi Allahut.

Mënyra e duhur e huazimit të parave përmendet nga Allahu kur Ai thotë: “O ju që besoni, kur të bëni marrëveshje për kthimin e huas për një kohë të caktuar, shkruajeni. Le ta shkruajë drejtësisht një shkrues mes jush e të mos refuzojë të shkruajë siç e mësoi Allahu. Pra le të shkruajë e le të diktojë huamarrësi dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij, e të mos pakësojë nga borxhi që ka për të kthyer. Nëse huamarrësi nuk kupton gjërat si duhet apo është i dobët, apo s’është në gjendje të diktojë vetë, atëherë le ta bëjë këtë drejtësisht kujdestari i tij. Dhe merrni dy burra mes jush si dëshmitarë. Nëse s’mund të gjinden dy burra, atëherë bën të marrësh një burrë e dy gra, në mënyrë që, nëse njëra prej grave gabon, ta kujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë të dëshmojnë, kur thirren për këtë. Dhe mos ngurroni ta shkruani marrëveshjen për afatin e caktuar, e madhe a e vogël qoftë ajo (huaja). Kjo është më e drejtë te Allahu, është dëshmi më e fortë dhe më me vend për të parandaluar dyshimet mes jush; përveç kur keni të bëni me një shitblerje të atypëratyshme, kur edhe s’është gjynah nëse nuk e shkruani. Dhe merrni dëshmitarë, kurdo që të bëni marrëveshje shitblerjeje. Le të mos pësojë dëm as shkruesi e as dëshmitari. Po nëse kjo ndodh, do të jetë një ligësi nga ana juaj. Pra, kini frikë Allahun, Ai ju mëson. Dhe Allahu di për çdo gjë. Nëse jeni në udhëtim dhe s’mund të gjeni shkrues, merrni kapar (peng). Atëherë, kur ndonjërit prej jush i lihet në besim diçka, le të tregohet i besueshëm dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij. Dhe mos fshihni dëshminë. Ai që e fsheh, ka zemër gjynahqare. Allahu di për çdo gjë që bëni ju.” (Bekare: 282283)
Pra, mënyra e duhur e dhënies së një huaje është:
1. Të specifikosh (caktosh) afatin e huas, domethënë kohëzgjatjen pas së cilës borxhi duhet të kthehet.
2. Të shkruash huan (sasinë) dhe kohën kur duhet kthyer atë.
3. Nëse ai që shkruan huan nuk është vetë huamarrësi, atëherë huamarrësi duhet t’i diktojë atij detajet e huamarrjes.
4. Nëse huamarrësi s’është në gjendje të diktojë, për shkak të sëmundjes apo për shkaqe të tjera, në vend të tij të diktojë kujdestari i tij.
5. Huaja duhet të dëshmohet, dhe dëshmitarë duhet të jenë dy burra apo një burrë e dy gra.
6. Huadhënësi ka të drejtë t’i kërkojë huamarrësit kapar (peng), që të marrë garanci me kaparin që huadhënësi do ta mbajë. Dobia e kaparit është se, kur të vijë koha e kthimit të borxhit dhe huamarrësi refuzon ta kthejë, kapari (pengu) mund të shitet dhe borxhi të kthehet me paratë e fituara;
çfarëdo që mbetet nga paratë, duhet t’i jepet pronarit të kaparit, domethënë huamarrësit /borxhliut.
Të garantosh një hua në njërën nga këto mënyra (duke shkruar marrëveshjen, duke marrë dëshmitarë, duke marrë kapar) është e rekomandueshme dhe e pëlqyeshme (mustehab), por nuk është obligim (vaxhib). Disa dijetarë janë të mendimit se është obligim të shkruash huan, por shumica e dijetarëve thonë se është e pëlqyeshme (jo obligim), që dhe është qëndrimi i saktë. [1] Arsyeja për këtë është që të mbrohen të drejtat e njerëzve, në mënyrë që ata të mos pësojnë humbje për shkak të harresës apo ngatërrimit; po ashtu që kjo të jetë një masë parandaluese kundër atyre që s’e kanë frikë Allahun. Nëse huamarrja nuk shkruhet, nuk dëshmohet me dëshmitarë apo nuk merret kapar, kjo nuk nënkupton gjynah. Vetë ajeti na vë në dijeni për këtë:
“… kur ndonjërit prej jush i lihet në besim diçka, le të tregohet i besueshëm dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij.” Të lënët në besim nënkupton të mos marrësh garanci për huan duke e shkruar atë, duke marrë dëshmitarë për të apo duke kërkuar kapar. Por, në kësi rasti duhet ta kesh frikë Allahun, prandaj dhe Ai urdhëroi huamarrësin ta ketë frikë Atë dhe të tregohet i besueshëm: “… le të tregohet i besueshëm dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij.” Nëse huaja nuk shkruhet dhe huamarrësi mohon ta ketë marrë atë apo e vonon kthimin e saj, atëherë huadhënësi s’bën ta fajësojë askënd pos vetvetes, meqë la hapur mundësinë për humbjen e pasurisë së tij. Është përcjellë nga Pejgamberi ﷺ se, nëse nuk shkruhet huadhënia, duaja e huadhënësit kundër huamarrësit nuk do të pranohet, kur ai e vonon shumë kthimin e huas apo refuzon ta kthejë atë. Ai tha: “Ka tre kategori njerëzish që i luten Allahun dhe nuk do t’u pranohet lutja: … personit që i jep hua dikujt dhe nuk merr dëshmitarë për këtë.” [2]
Kushdo që reflekton rreth këtyre vendimeve dhe të tjerave, do të shohë përsosurinë e Sheriatit islam dhe interesimin e tij për të mbrojtur të drejtat e njerëzve duke mos i vërë në situata ku ata do të humbnin. Allahu urdhëron poseduesin e pasurisë ta mbrojë atë dhe të mos hap mundësi për ta humbur, pavarësisht sa e vogël është ajo: “… Dhe mos ngurroni ta shkruani marrëveshjen për afatin e caktuar, e madhe a e vogël qoftë ajo (huaja).” A ka ndonjë ligj tjetër që bën bashkë interesin e kësaj bote me të botës tjetër në këso mënyre të përsosur siç bën Sheriati? A mund të dalë ndokush me diçka më të përsosur sesa këto vendime? Allahu vërtet foli të vërtetën, kur tha: “E, kush gjykon më mirë sesa Allahu për një popull që besojnë bindshëm.” (Ma’ide: 50)
Lusim Allahun të na bëjë të qëndrueshëm në fenë e Tij!

Islamqa.com

———————————————-

[1] Tefsir el-Kurtubi [3/383]

[2] Sahih el-Xhami, 3075