Pyetja: A është haram mbjellja e vetullave me qime të flokëve personalë, pra transplant në zonën e vetullave, nëse arsyeja është që të mos lyhen, por të duken sa më natyrale?

Përgjigja: Sa i përket pyetjes për mbjelljen e vetullave me qimet e trupit të personit që dëshiron t’i trashë vetullat ose ka ndonjë defekt, dijetarët janë përgjigjur në lidhje me diskutimin nëse janë të pastra, në rregull apo jo. Pothuajse të gjithë dijetarët janë unikë në mendimin se kjo çështje nuk prish punë. Diskutimi i tyre pastaj është nëse lejohet një gjë e tillë, pra, a konsiderohet devijim nga krijimtaria e Allahut apo jo forma që Allahu na ka dhënë dhe që duhet ta ruajmë, e të mos e ndryshojmë vetëm për zbukurim, përkatësisht për të bërë një ndryshim të përhershëm.

Fillimisht, nëse ka ndonjë defekt në vetull, p.sh. ndonjë prerje të lëkurës te vetulla, ose vetullat kanë rënë, ose nuk ka fare, në këto raste dijetarët e lejojnë mbjelljen e vetullave, sepse vetullat në këtë formë konsiderohen si një lloj shëmtie, dhe i lejohet femrës ta kompletojë fytyrën e saj, pasi vetullat janë pjesë e bukurisë dhe plotësimit të saj, që Allahu i Lartësuar ia ka dhënë.

Nëse personi ka vetulla, por dëshiron t’i shpeshtojë apo t’i zgjerojë sepse janë të holla, pjesa dërrmuese e dijetarëve nuk e lejojnë këtë, për shkak se konsiderohet ndryshim i krijimtarisë së Allahut.

Në bazë të asaj që lexova dhe u konsultova me shkrimet e hoxhollarëve për këtë çështje, unë them se nëse janë shumë të holla ose shumë të rralla saqë duken qartë, atëherë nuk prish punë t’i trashë pak. Mirëpo, nëse janë brenda normales dhe qëllimi është që të bëhen më të trasha, siç ka ardhur në pyetje, unë them që të mos bëhen, përderisa vetullat janë normale dhe nuk ka diçka jashtë normales.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha