Pyetja:

A është haram të luash bastore?

***

Përgjigjja:

Bastoret sportive, që tani janë përhapur me të madhe për fat të keq edhe në shoqërinë tonë, përballen negativisht me parimet islame. Bastoret sportive, nuk janë gjë tjetër, pos një lloj tjetër i bixhozit. Ndërsa, bixhozi është i ndaluar me ajetin e Kuranit së bashku me alkoolin. Allahu ka thënë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)

Trajtimi i bastoreve si lojë bixhozi vjen për këto arsye:

1. Tubohen para nga shumë njerëz, duke mos përfituar asgjë të gjithë ata që kanë investuar. Pra, japin para dhe nuk marrin asgjë. Në këtë rast ata që fitojnë në bastore, fitojnë diç nga mjetet e tubuara që janë mbledhur nga të gjithë ata, me qëllim që të fitojnë gjithsecili. Pra, as nuk janë dhuratë prej tyre, e as nuk është fitim me djersë.

2. Fitimi në bastore është nga fati e jo nga dija. Për shkak se “topi është i rrumbullakët”. Nuk është e mundur që prej parashikimeve të bazuara në dijen rreth lojtarëve dhe lojës që zhvillojnë në një ekip, të përcaktohet fituesi. Kjo edhe po të ishte reale, disponimi i lojtarit apo lojtarëve të mirë për një lojë është i ndryshueshëm, për çfarë as vetë trajneri i ekipit nuk guxon të gjykojë e lëre më dikush tjetër.

3. Lojërat janë të komercializuara në shumicën e rasteve (ose siç shprehemi, janë të kurdisura) vetëm e vetëm për t’i sjellë fitime bastorxhinjve të mëdhenj, dhe në këtë rast vet futbolli po i cilëson bastoret se janë kumar apo bixhoz. Fukaraja i mban dy shtëpi – thotë populli.

Pra luajtja, hapja dhe puna në bastoret sportive, sipas Sheriatit islam është haram – e ndaluar. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku