Pyetja:

A është i vlefshëm abdesi nëse i japim mes’h çorapeve të zakonshme që përdorim në trevat tona? Dhe sa kohë vlen kjo pa i zbathur çorapet fare?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse çorapet nuk janë të tejdukshme, atëherë lejohet t’u japim mes`h atyre edhe nëse nuk janë të trasha. Në rubrikën e fikhut është një temë e posaçme rreth mes`hut mbi çorape, ku kemi sqaruar mendimet e dijetarëve duke përmendur argumentet e tyre, prandaj, nëse jeni i interesuar për këtë, më gjerësisht lexoni atje.

Sa i përket afatit se për sa kohë lejohet t`u japim mes`h atyre pa i zbathur, themi se afati është një ditë dhe një natë, duke filluar llogaritjen nga momenti i mes`hut të parë (abdesti i parë që merret duke mos i zbathur çorapet). Kështu është për vendasin, kurse për udhëtarin kohëzgjatja është tri ditë dhe tri net. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:
I Dërguari i Allahut caktoi tri ditë e tri net për udhëtarin, kurse një ditë e një natë për vendasin.” [1]

Për ta kuptuar më qartë do të sjellim një shembull. Një njeri ka marrë abdest në orën katër të mëngjesit për të falur sabahun dhe i ka mbathur mestet. Ai ka mbetur me atë abdest deri në orën dhjetë të mëngjesit, pastaj e prishi abdestin dhe nuk e përtëriu atë atëherë, por merr abdest në orën një të drekës duke u dhënë mes`h mesteve për herë të parë. Fillimi i llogaritjes bëhet prej orës një dhe ai mund t`u japë mes`h atyre sa herë të marrë abdest deri të nesërmen në të njëjtën kohë, në orën një. E njëjta gjë vlen edhe për musafirin, përveçse atij i zgjat koha tri ditë dhe tri net.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

———————-

[1] Muslimi