Pyetja:

A mund të merret gusël apo a është i vlefshëm gusli kur njëherë e lajmë trupin e pastaj flokët? Kjo normal kuptohet në kushte të jashtëzakonshme, sepse në kushte normale nuk ka pse të ndodh kjo.

***

Përgjigjja:

Marrja e guslit apo larja e tërë trupit, sipas mësimeve islame kërkon që të ketë renditjen e përcaktuar dhe përmbajta e asaj renditje është e preferuar, jo e obliguar.

Nuk di çfarë nënkuptoni kur thoni “në kushte të jashtëzakonshme”. Nëse keni për qëllim kur nuk ka ujë të mjaftueshëm, do të thoshim se atëherë guslin do ta zëvendësonte tejemmumi. E nëse uji është i ftohtë, atëherë do të thoshim që ta nxehni ujin dhe më pas të pastroheshit. Nëse keni për qëllim se vuani nga ndonjë sëmundje në kokë që uji ju shkakton rëndim të rënkimit apo vonim të shërimit, do të thoshim që një herë t’i jepni mes-h (fërkim me dorë të lagur) kokës, e pastaj ta lani tërë trupin. Allahu thotë: “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.” (Maide, 6)

E nëse keni për qëllim që me larjen e një pjese njëherë e të një pjese tjetër të trupit herën tjetër, të humbni gjurmën e guslit, nga turpi për ta shfaqur qëllimin që ua obligoi guslin, pra marrëdhëniet intime duke qenë vetëm e kurorëzuar e jo edhe e martuar, atëherë do të thoshim që nuk duhet ta bënit një vepër me të cilën do të turpëroheshit. Kjo e fundit aspak nuk e arsyeton ndryshimin e mënyrës së pastrimit, e as trajtimit të rastit dhe kushteve si të jashtëzakonshme. Mund të jenë të jashtëzakonshme për ty personalisht, por Sheriati i ka rendet e veta, që nuk mund të ndryshohet ndonjë rregull për shkak të një individi. Çfarë mendoni nëse dikush do të pyeste se turpërohet ta falë namazin e drekës në shkollë dhe a bën që t’i falë dy rekate njëherë, e pastaj dy tjera. Sigurisht se çdo i logjikshëm do të thoshte se nuk bën të veprohet në këtë mënyrë.

Pra, nuk bën të ndërpritet larja në mes të organeve njëra nga tjetra në kohë të gjatë dhe një veprim i tillë e asgjëson guslin.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku