Pyetja:

A është obligim drejtimi i radhëve në namaz në kuptimin që adhuruesit mëkatojnë nëse nuk e drejtojnë atë?

***

Përgjigjja:

Fjalët e Pejgamberit ﷺ: “Bashkoni safat ose Allahu do të shkaktojë përçarje mes jushʺ, pa dyshim, janë një paralajmërim për ata që nuk i drejtojnë radhët. Kështu disa dijetarë mbajnë qëndrimin se është e detyrueshme të drejtohen radhët. Ata morën si dëshmi për këtë faktin që Pejgamberi, ﷺ, ka urdhëruar për këtë dhe u është kërcënuar atyre që kundërshtojnë urdhrin e tij. Nëse për diçka urdhërohemi dhe bëhet paralajmërim/ kërcënim nëse veprohet e kundërta, sʹmund të thuhet se kjo është ʺvetëm sunetʺ. Që këtu, opinioni i saktë për këtë çështje është se drejtimi i radhëve është obligim dhe nëse xhemati nuk i drejton radhët, mëkatojnë. Ky është kuptimi i qartë i fjalëve të Ibn Tejmijes. [1]

ʺTë drejtosh radhët do të thotë që askush të mos qëndrojë përpara dikujt tjetër. Por a mendohet me këtë që shputa e njërit mos të dalë përpara shputës së tjetrit? Përgjigja në këtë është se me këtë mendohet në krahët, në maje të trupit, dhe në thembrat, në fund të trupit. Thembrave u kushtohet vëmendje ngaqë ato janë baza mbi të cilat qëndron trupi. Thembra është fundi i këmbës, kurse këmba është shtylla e trupit, pra këtë duhet marrë parasysh. Për sa u përket gishtave të këmbës, ata nuk merren parasysh, sepse gishtat e këmbës dallojnë; disa njerëz i kanë shputat e gjata, disa i kanë të shkurtra, kështu që thembrat duhet marrë parasysh. Është edhe një tjetër lloj i drejtimit që nënkupton plotësim apo përsosmëri, kur Allahu thotë: ʺKur ai u forcua dhe u përsosʺ. (Kasas, 14)
Këtu fjala ʺestewaʺ (e përkthyer si ʺu përsosʺ) do të thotë: u plotësua. Nëse themi ʺistiwa el‐sufuufʺ (drejtimi i safave/radhëve) në kuptimin e plotësimit, kjo nuk heq nga domethënia e të drejtuarit e radhëve në kuptimin që të sigurohemi se secili po qëndron paralel, mirëpo kjo përfshin një mori domethëniesh:
1‐ Drejtimi në kuptimin e të qëndruarit paralel, gjë e cila, sipas opinionit të saktë, është obligim, siç u tha më lart.
2‐ Ngjeshja e radhëve, gjë e cila është pjesë e plotësimit dhe përsosmërisë së tyre. Pejgamberi, ﷺ, urdhëronte për këtë dhe nxiste umetin e vet të formonte radhët siç i formojnë engjëjt para Zotit të tyre, duke i mbushur dhe duke i plotësuar radhët një nga një. Çfarë mendohet me ngjeshjen e radhëve, sʹështë që mos të lihen hapësira për djajtë, kjo sʹdo të thotë të grumbullosh e të dyndësh njerëzit, sepse ka dallim mes ngjeshjes së radhës dhe ngjeshjes së tepërt. Që këtu Pejgamberi, ﷺ, thoshte: ʺDrejtoni radhët, bëni krahët paralel… dhe mos lini hapësira për djajtëʺ, dmth sʹbën të ketë hapësira mes jush nëpërmjet të cilave djajtë mund të hyjnë, sepse djajtë hyjnë mes radhëve si qengjat e vegjël, për ta prishur namazin e adhuruesve.
3‐ Plotësimi i radhës së parë pastaj të tjetrës. Kjo është pjesë e të drejtuarit të radhëve. Radha e dytë sʹbën të niset përpara plotësimit të radhës së parë, radha e tretë sʹbën të niset përpara plotësimit të radhës së dytë dhe kështu me radhë. Pejgamberi, ﷺ, nxiste për plotësimin e radhës së parë dhe thoshte: ʺPo të dinin njerëzit çfarë ka në ezan dhe në radhën e parë, por mos të kishin mundësi tjetër përveç hedhjes së shortit, atëherë do të hidhnin shortʺ. Dmth: Nëse dy njerëz vijnë në radhën e parë dhe njëri prej tyre thotë: ʺUnë jam më i denjë sesa tiʺ, dhe tjetri ia kthen: ʺJo, unë jam më i denjëʺ, dhe pastaj thotë: ʺLe të hedhim short se cili nga ne do të qëndrojë në këtë vendʺ.
Një nga mënyrat me të cilat shejtani luan me njerëzit sot, është kur ata shohin që radha e parë është e përgjysmuar, por pavarësisht nga kjo ata nisin radhën e dytë. Më pas, kur të thirret ikameti dhe tʹu thuhet atyre: ʺPlotësoni radhën e parëʺ, ata shikojnë përreth të ngatërruar.
4‐ Një tjetër aspekt i drejtimit të radhëve është të afrohen radhët afër njëra‐tjetrës dhe afër imamit, sepse ata janë xhemat (grup) dhe fjala ʺxhematʺ është marrë nga fjala ʺixhtimaʺ (bashkim). Nuk mund të ketë bashkim të duhur nëse radhët janë larg njëra‐tjetrës. Sa më afër të jenë radhët ndaj njëra‐tjetrës aq më mirë. Në disa xhami shohim hapësira mes imamit dhe radhës së parë, që janë aq larg njëra‐tjetrës saqë mes tyre mund të hyjnë edhe një apo dy radhë të tjera, sepse imami është tepër i larguar përpara. Mendoj që kjo vjen nga padituria. Sunet është që imami të jetë afër njerëzve që po falen prapa tij, njerëzit të jenë afër imamit dhe secila radhë të jetë afër njëra‐tjetrës. Përcaktimi i ʺafërsisëʺ është se duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme për sexhde dhe pak më shumë.
5‐ Aspekt tjetër i drejtimit të radhëve është tʹi afrohemi më shumë imamit, sepse Pejgamberi, ﷺ, ka thënë: ʺPrej jush më së afërti meje le të jenë të urtët dhe të mençuritʺ. Sa më afër aq më mirë. Prej këtu inkurajohet tʹi afrohemi imamit në namazin e xhumasë, sepse afrimi ndaj imamit, në rastin e xhumasë, arrihet me anë të afrimit ndaj tij gjatë namazit dhe hutbes. Tʹi afrohesh imamit është diçka e dëshirueshme, por disa njerëz e lënë këtë pas dore.
6‐ Aspekt tjetër i drejtimit të radhëve është parapëlqimi i anës së djathtë të radhës ndaj të
majtës, dmth se ana e djathtë e radhës është më e mirë sesa e majta, por jo në kuptimin absolut, siç është rasti i radhës së parë. Po të kishte qenë në kuptimin absolut, si në rastin e radhës së parë, i Dërguari i Allahut, ﷺ, do të thoshte: ʺPlotësoni anën e djathtë, pastaj anën e djathtëʺ, por ka thënë: ʺPlotësoni radhën e parë, pastaj radhën tjetërʺ. Ana e djathtë është më e mirë se e majta nëse të dy anët janë afërsisht të barabarta, si në rastin kur të jenë pesë persona në të djathtë dhe pesë në të majtë pastaj vjen i njëmbëdhjeti. Në këtë rast i themi: ʺShko në të djathtë, sepse e djathta është më e mirëʺ, kur të dy anët janë pothuaj të barabarta në mënyrën që dallimi mes të djathtës dhe të majtës sʹështë i qartë. Por nëse ka dallim,atëherë, pa dyshim, ana e majtë e radhës më të afërt është më e mirë sesa ana e djathtë e një radhe më larg. Kjo tregohet me faktin që, nëse xhemati është vetëm tre njerëz, imami duhet të qëndrojë mes tyre, dmth mes dy të tjerëve. Kjo tregon se e djathta sʹështë më e mirë në kuptimin absolut, sepse po të kishte qenë kështu, do të kishte qenë më mirë që dy njerëzit të qëndronin në të djathtë të imamit dhe askush në të majtë. Por ajo çka është parashkruar është që një duhet të jetë në të djathtë dhe një të majtë, që imami të jetë në mes dhe mos të ketë pabarazi në njërën anë.
7‐ Aspekt tjetër i drejtimit të radhëve është që femrat duhet të qëndrojnë të vetme, dmth femrat duhet të jenë prapa burrave, jo të përziera me burra, sepse Pejgamberi, ﷺ, ka thënë: ʺRadhët më të mirë për burra janë radhët e para ndërsa më të këqijat janë radhët e fundit; radhët më të mirë për femrat janë radhët e fundit ndërsa më të këqijat janë të radhët e para.ʺ Pejgamberi ﷺ ka thënë që sa më larg të jenë femrat prapa burrave, aq më mirë. Pra, është më mirë për femrat që të jenë prapa burrave, për shkak të fitnes që shkaktohet nëse janë afër burrave. Më e keqe se kjo është përzierja me burrat, ku një femër është krahas një burri apo një radhë femrash mes dy radhëve të burrave. Kjo sʹështë me vend, si edhe meqë është haram ekziston frika e fitnes. Ka më shumë mundësi të jetë haram kur ekziston frika e fitnes, por edhe kur sʹka fitne, ende sʹështë me vend, siç është rasti kur femrat janë kujdestare të meshkujve.ʺ

Shejh Ibn Uthejmin, ʺSherh el‐Mumtiʺ, 3/13‐17

———————————————————–

[1] ʺSherh el‐Mumtiʺ, 3/6