Pyetja:

A është shirk çdo therje që nuk bëhet për hir të Allahut?

Përgjigja:

Therje do të thotë vrasje nëpërmjet derdhjes së gjakut në mënyrë të caktuar, e cila bëhet në disa metoda:

1. Ajo që bëhet si akt adhurimi me nijet të nderimit të atij për të cilin bëhet kurbani, për ta përulur veten para tij dhe për t’iu afruar atij, kjo guxon të bëhet vetëm për Allahun, në mënyrën e përshkruar nga Allahu. Të bësh këtë për këdo tjetër pos Allahut është shirk i madh. Dëshmi për këtë është ajeti ku Allahu i patëmeta thotë: “Thuaj (O Muhamed): Vërtet, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e Botëve (njerëzimit, xhinëve dhe krejt çka ekziston).” (En’am, 162)

2. Ajo që bëhet për të nderuar një musafir apo për gostinë martesore dhe të ngjashmet me këto, kjo është diçka që është urdhëruar dhe ose është e obligueshme, ose e pëlqyeshme, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë musafirin“. Dhe ai ﷺ i tha AbduRrahman ibn Aufit: “Bëj gosti martesore qoftë edhe me vetëm një dele“.

3. Ajo që bëhet për t’u ushqyer apo për të shitur mishin e kështu me radhë. Kjo hyn në kategorinë e gjërave të lejueshme dhe parimi bazë është se kjo është e lejuar, sepse Allahu i lartësuar ka thënë: “A nuk e shohin ata se ndër gjërat që Duart Tona kanë krijuar për ta janë bagëtitë që ata zotërojnë?! Ne bëmë që ato t’u nënshtrohen atyre, kështu që disa i shalojnë e prej disave ushqehen” (Ja-Sin, 7072) Dhe kjo mund të jetë e nevojshme apo e ndaluar, varësisht nga ajo se çka synohet me të.

Sherh el-Usul el-Thelatheh në Mexhmu’ el-Fetaawa, 6/62.