Pyetja:
A është shkolla dhe puna arsye për mospjesëmarrjen në xhuma?
***
Përgjigjja:
“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.” (Xhumua: 9-10)
E lexove ajetin fisnik në të cilin Allahu thotë qartë që të braktiset tregtia, që do të thotë të gjitha punët, kur muezini të thërrasë për namaz. Puna nuk është arsye për braktisjen e asaj që Allahu obligoi. Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm se një materializëm, i cili ka kapur me kthetrat e tija shumicën e muslimanëve sot. Për këtë arsye, ata e preferojnë këtë jetë më shumë sesa tjetrën. Ky është një largim i rrezikshëm, i cili sjell shumë pasoja të këqija.
Pyetja: Disa thonë se kanë familje (për të mbajtur) dhe frikësohen se mos po i përjashtojnë nga puna, nëse e lëshojnë punën për shkak të xhumasë. E njëjta vlen edhe për studentin.
Ai frikësohet se do të përjashtohet nga shkolla. A duhet që ata të marrin pjesë në xhuma pavarësisht kësaj?
Përgjigjja: Po, pavarësisht të gjitha (problemeve). Këtyre muslimanëve u themi:
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do ta furnizojë nga nuk e pret.” (Talak 2-3)
(Shtesë nga stafi i Pergjigje.net: Ka mundësi zgjidhjesh. Nëse një musliman assesi s’mund ta falë xhumanë, atëherë, të paktën, le ta falë xhumanë e dytë. Në qytete të ndryshme ofrohet kjo mundësi. Për shembull, në Prishtinë falet xhumaja e dytë për ata që nuk mund ta zënë të parën, por kjo mundësi ofrohet vetëm në një-dy xhami.)
Imam Albani
Përktheu: Ergin Shala