Pyetja:

Çka është puna e disa njerëzve që duken që kanë ndihmuar jetimë, por, sa herë që u vjen rasti, i përmendin ato, duke thënë: ne e kemi ndihmuar atë, ne i kemi dhënë bukë këtij etj.. Kështu vazhdojnë t’i përmendin sadakatë e tyre për vite me radhë. A kanë ata shpërblim, apo e kanë humbur shpërblimin?

***

Përgjigjja:

Përmendja e lëmoshës së dhënë është prej mëkateve të mëdha për shkak të së cilës humbet shpërblimi i lëmoshës. Allahu në Kuran e ndalon qartë përmendjen e lëmoshës dhe tregon se kjo gjë e zhduk sevapin kur thotë: “O besimtarë! Mos i prishni lëmoshat tuaja me përmendje e fyerje, sikurse ai që e jep pasurinë e tij vetëm për sy të njerëzve, ndërkohë nuk e beson Allahun dhe Ditën e Fundit…” (Bekare: 264) Ndërsa i lavdëron ata që nuk e përcjellin lëmoshën e tyre me përmendje e me fyerje, duke thënë: “Ata që e japin pasurinë e tyre në rrugën e Allahut dhe, atë që e japin nuk e përcjellin me përmendje a me fyerje, e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk do të ketë frikë e as që do të brengosen.” (Bekare: 262)

Hoxhë Jusuf Kastrati