Pyetja:

Jam 21 vjeçare dhe jam mbuluar gjatë Ramazanit. Kështu, prindërit e mi kanë qenë në haxh para 2 muajve dhe sa kanë qenë atje nëna është njohur me disa studentë dhe kanë biseduar rreth meje se si jam mbuluar etj., e njëri prej tyre ia kish propozuar nënës sime një koleg të vetin atje në Medine me të cilin ishte duke studiuar bashkë (d.m.th. ai është hoxhë). Ai ka shprehur dëshirën që të njihet me mua kur të vjen gjatë pushimeve që i kishin në qershor, e nëse është hair e kësmet që të bëhemi bashkë dhe i kishte pas thënë nënës: “inxhe, mos i ndrysho fjalët, pritni deri në qershor të këqyrim çka po bëhet”. Por tash e kam një problem se kemi menduar që ata nuk do të interesohen e prindërit nuk e kanë parë, nuk janë njohur me atë djalin që i kishte thënë ai studenti që kujdesej për ta. U bënë një muaj e gjysmë që erdhën prindërit prej haxhit dhe nuk kishim kurrfarë lajmi prej tyre e para disa ditëve ka qenë prindi i atij djalit për të cilin i kishte thënë ai studenti prindërve të mi, ka biseduar me babin por atë ditë edhe një kolege e fakultetit më ka thënë mua për një të afërm të saj. Ai ishte djalë fetar. Më ka pyetur për disa të dhëna për familjen time dhe unë iu kam përgjigjur. Tash nuk po di se çka të bëj, a me prit atë studentin deri sa të vjen në Kosovë apo të dal e të njihem me këtë djalin që më ka thënë shoqja. Disi të njëjtën ditë më kanë ndodhur të dyja. Nëna po më thotë të kishe prit bile me u pa edhe me atë djalin, ndërsa babi po më thotë këqyr interesohu për këtë djalin këtu në Kosovë se babit tim nuk po i pëlqen fisi i atij djalit atje. Që të dytë vijnë prej familjeve të mira. Sikur ta kisha ditur unë që ka qenë babai i atij studentit me bisedua me babin të njëjtën ditë që më ka thënë edhe ajo shoqja për atë të afërmin e vet, e cila i kishte folur atij më herët për mua, unë i kisha thënë shoqes që është interesuar dikush tjetër por këtë e kam kuptuar më vonë, kur më kanë treguar të shtëpisë. Ky djali që më ka thënë kolegia ka shprehur dëshirë që të takohet nëse mundemi pas disa ditësh po edhe që mundemi me fol në internet. Unë nuk kam pranuar në internet me fol edhe pse ai më kishte shkruar dhe m’i kishte dhënë disa informata për veten. Pra, unë nuk iu kam përgjigjur letrës se tij dhe nuk po pranoj që të flas me të në internet, shpresoj të mos jem gabim. Të familjes sime kanë pyetur për këtë djalin, e kanë lavdëruar familjen e tij, tash s’po di çka të bëj, a të dal të njihem me të? Nuk po e di se çka të bëj? Nganjëherë po më vjen ndonjë mendim se mos jam e re për martesë? Ju lutem, më këshilloni!

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar muslimane, Allahu të forcoftë në Islam dhe të shpërbleftë me të mira për përkushtimin tuaj ndaj mësimeve islame dhe porosive kuranore siç është mbulesa!

Motër, në moshën që ju keni nuk mund të thuhet se jeni e re për martesë, por edhe nuk mund të thuhet se jeni e vonuar, apo vonoheni nëse e shtyni atë për më vonë, kjo varet krejt prej jush se si i keni planet dhe sa jeni e nevojshme për t’u martuar. Në përgjithësi martesa e vajzave sa më herët, është e preferuar me Islam në mënyrë që ta shpëtojë nderin e saj dhe ta dorëzojë veten para bashkëshortit të saj, partnerit të jetës. Por kjo nuk do të thotë që çdo vajzës i rrezikohet morali, pasi ajo mund të jetë e formuar dhe nuk bie pre e provokimeve që sot i ofron shoqëria.

Nuk ka ndonjë kundërshti në faktin që ju për një ditë keni pranuar dy oferta. Kjo gjë aspak nuk është e keqe, por ju duhet që njërën palë ta refuzoni e mos ta mbani peng, nëse vërtet nuk e keni ndërmend të përgjigjeni pozitivisht ofertës së tij, dhe në mënyrë që ata mos të konsiderohen se i kanë hy në fejesë njëri tjetrit, veprim ky i ndaluar me Sheriat.

Shikoje atë që e ka frikën e Allahut më të theksuar, që e ka moralin më të pastër, që është më i pjekur, që e ka familjen më të mirë dhe që ti së bashku me babin pajtoheni për të. Mos lejo që babi ta humb shansin më të mirë pa ndonjë arsye të justifikueshme, por edhe mos mendo ta zgjedhësh ndonjërin pa dëshirën e prindit tënd, sepse kjo gjë nuk lejohet. Shikuar në përgjithësi, jeta e juaj në Medinë qoftë edhe për një periudhë të shkurtër, nëse është e mundur, është ofertë që nuk refuzohet, por nëse ofertuesi nuk është gjithaq i mirë atëherë shikoje partnerin e jetës e jo vendin se ku do të jetosh. Mbi të gjitha fal namaz istihare dhe shiko se në cilën ofertë po të fle më shumë zemra dhe ashtu vendos!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku