Pyetja:
Meqë sot te disa të fejuar, pasi realizojnë fejesën, bëhet afrimi në mes tyre edhe pa u martuar akoma, si vlerësohet kjo nga aspekti islam?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Do të flasim për problemin që ngrini në këtë pyetje në formë më të detajuar, pasi fatkeqësisht shumë besimtarë praktikues te ne mendojnë se periudha pas fejesës mund të trajtohet si kohë kur çifti mund ta konsiderojë njëri-tjetrin si bashkëshort legjitim dhe se në mes tyre lejohen të gjitha veprimet që u lejohen dy bashkëshortëve.
Së pari themi se te dijetarët islamë fejesa përkufizohet në këtë formë:
Fejesa është premtim të cilin ia jep djalit përgjegjësi i vajzës (prindi), për ta martuar vajzën e tij me të.
Nga ky përkufizim konkludojmë se fejesa në Islam nuk është martesë, por është premtim për martesë, prandaj sipas mendimit të juristëve islamë, i fejuari apo e fejuara lejohet të heqin dorë nga fejesa pa ndonjë komplikim. Kjo nënkupton se prishja e fejesës nuk tërheq pas vete asnjë pasojë juridike. Prandaj, përderisa nuk ka kontratë martese, juridikisht kjo nuk konsiderohet martesë dhe nuk na lejohet që ta trajtojmë ashtu.
Duke pasur parasysh këtë vlerësim, themi se nuk është e drejtë që raporti mes vajzës dhe mashkullit të fejuar të jetë sikurse raporti mes bashkëshortëve; që ata të vetmohen, të flasin lirshëm siç i flet burri gruas dhe anasjelltas e aq më pak që të kryejnë marrëdhënie intime ose diçka të ngjashme me këtë. Këto veprime të gjitha janë të ndaluara dhe ai person i cili merr guximin ta trajtojë të fejuarën e tij sikurse ta ketë grua dhe t’i legalizojë marrëdhëniet intime me të, atëherë ai ka tejkaluar kufijtë e Allahut të Plotfuqishëm.
Fatkeqësisht, disa njerëz, madje edhe nga ata të rinj që mundohen të jenë besimtarë praktikues, mendojnë se forma si bëhet fejesa tek ne nënkupton martesë në Islam. Me fjalë të tjera, mënyra dhe ceremonia e fejesës tradicionale e cila aplikohet te ne, ku prindi i vajzës ia zgjat dorën prindit të djalit ose mesitit (personit të deleguar, ndërmjetësit nga djali) dhe ia bën për hair vajzën e tij, sipas tyre në jurisprudencën islame kjo ceremoni e përhapur te ne, nënkupton kontratën e martesës, prandaj ata thonë se pas këtij akti të fejesës çifti trajtohet si të jenë bashkëshortë.
Pra, pikënisja e tyre mbështetet në atë se gjatë këtij akti është i pranishëm përgjegjësi i vajzës (prindi-veliu) dhe njerëz që mund të jenë në cilësinë e dëshmitarëve dhe realizohet oferta nga ana prindit të vajzës dhe më pastaj pranimi i djalit. Ata thonë se të gjitha këto e bëjnë që kjo kontratë të konsiderohet martesë, edhe pse te njerëzit sipas traditës (urfit), i thonë fejesë.
Ky pretendim nuk është i saktë pasi sjell me vete shumë probleme dhe paqartësi, prandaj duke mos hyrë shumë thellë në shtjellime, themi se ky akt i cili aplikohet te ne, në këtë formë duhet të konsiderohet fejesë dhe nuk është e drejtë që këtë ta trajtojmë martesë, prandaj dispozitat islame që do të vepronin në këtë akt duhet të jenë ato të fejesës e jo të martesës.
Këtë qëndrim e mbështesim në këto arsye:
1. Tubimi i cili realizohet gjatë këtij akti te të gjithë njerëzit konsiderohet se është tubim fejese dhe jo martesë, pasi martesa tek ata vjen më vonë.
2. Prindi i vajzës (veliu), kur ia bën për hair mesitit vajzën në atë tubim, pa marrë parasysh se si deklarohet dhe çfarë shprehjesh përdor ai, qëllimi i tij është fejesa e vajzës së tij. Kështu që nëse ai pyetet se çfarë kontrate ka realizuar, ai do të përgjigjet se e ka fejuar vajzën dhe ai e di se akti i martesës do të ndodhë më vonë, me prezencën e personit adekuat, i cili do ta bëjë kurorëzimin dhe atëherë do të realizohen edhe kushtet e tjera të aktit të martesës, si prezenca e dëshmitarëve të përcaktuar (që do të përmenden me emra), do të përcaktohet mehri, etj.
3. Duke u nisur nga parimet e përgjithshme islame, shohim se veprimi i njeriut vlerësohet sipas qëllimit që ka në vete dhe derisa përgjegjësi i vajzës me aktin e lartpërmendur mendon realizimin e fejesës dhe jo aktin e martesës, atëherë nuk është islame që ne ta trajtojmë atë diçka tjetër dhe të veprojmë sipas asaj që ne e trajtojmë pa dijen e përgjegjësit. Prandaj është e padrejtë që nëse përgjegjësi e kupton aktin se ishte fejesë, ne ta konsiderojmë si martesë dhe kjo konsiderohet një formë tradhtie që ne i bëjmë prindit të vajzës.
4. Është e saktë thënia se nuk është e kushtëzuar që gjatë aktit të kurorës detyrimisht të përmendet mehri, pasi gruaja e meriton atë edhe nëse nuk përmendet gjatë procesit të aktit. Mirëpo në rastin tonë lënia anash e cekjes së mehrit nënkupton se kontrata e cila po realizohet në mes palëve nuk ka për qëllim martesën, por është fejesë,
5. Në lidhje me shprehjet që përdoren gjatë aktit të fejesës, themi se është e vërtetë se te ne gjatë fejesës përdoret shprehja e cila mund të realizojë aktin e martesës në Islam (realizohet oferta el Ixhab) nga ana prindit të vajzës dhe më pastaj pranimi i djalit ose mesitit të tij (el- Kabul)). Megjithëkëtë duhet të kihet parasysh se kjo shprehje mund të ketë edhe kuptim metaforik dhe domethënia e saj duhet të merret në bazë të asaj se si kuptohet nga palët. Dhe derisa tek ata kuptohet fejesë, atëherë për të pretenduar tjetrën (se është kontratë martese) duhet të qartësohet kjo gjatë kontratës dhe t’u bëhet me dije të dy palëve dhe dëshmitarëve se kjo kontratë është kontratë martese e jo fejese. Prandaj nuk lejohet që ta realizojmë këtë kontratë të varur, që njëra palë ta kuptojë fejesë, ndërsa tjetra ta kuptojë martesë.
Duke pasur parasysh këto që u përmendën më lart, themi se fejesa sipas jurisprudencës islame është premtim për martesë dhe shprehje pëlqimi paraprak i dy palëve për t’u futur në martesë. Ajo që lejon fejesa në mes të fejuarve janë takimet e ndërsjella, të cilat realizohen në praninë e të tjerëve (pra jo duke u vetmuar), për t’u marrë vesh rreth gjërave që kanë të bëjnë me martesën, rreth dasmës, blerjes së dhuratave të ndërsjella, marrëveshjes për formën e mehrit, etj.
Prandaj, i porosisim ata të rinj të cilët kanë realizuar aktin e fejesës dhe dëshirojnë që t’i zgjerojnë format e kontaktit, atëherë mos ta bëjnë këtë pa realizuar edhe aktin e kurorës.
Akti i kurorës vjen pas fejesës dhe pasi të rregullohen gjërat, realizohet ceremonia e veçantë, në të cilin zakonisht merr pjesë hoxha ose dikush që ka njohuri rreth dispozitave të martesës në Islam. Në këtë tubim merr pjesë përgjegjësi i vajzës, vajza, djali dhe dy dëshmitarë. Prezenca e vajzës nuk është obligative, nëse paraprakisht dihet se ajo është pajtuar me këtë martesë. Gjatë kësaj kontrate përgjegjësi i vajzës i thotë djalit (burrit) se po të martoj me vajzën time (el-ixhab) dhe ai e pranon këtë (el-kabul) dhe dëshmojnë dy dëshmitarë. Gjithashtu gjatë kësaj kontrate bëhet edhe përcaktimi i mehrit. Mehri është dhurata të cilën burri ia jep nuses së tij si pasojë e lidhjes së aktit martesor. Dhënia e mehrit është detyrë për burrin, pa marrë parasysh nëse përmendet apo jo në aktin e martesës. Rëndom kjo kontratë evidentohet dhe në të nënshkruajnë përgjegjësi i vajzës, djali dhe dy dëshmitarët. Sido që të jetë, shkrimi i kësaj kontrate nuk është obligative.
Alaudin Abazi