Pyetja:

A ka ekzistuar feja Islame edhe para Pejgamberit ﷺ?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

fillimisht, duhet të dimë domethënien e fjalës “islam”. Në gjuhën shqipe, fjala “islam” do të thotë nënshtrim dhe secili që i nënshtrohet ligjit të Allahut është musliman. Kështu që kjo fjalë nuk ka të bëj vetëm me Muhamedin ﷺ, por ka ekzistuar edhe para tij, që nga njeriu i parë Ademi alejhi selam dhe të gjithë ata që i janë nënshtruar Allahut (dhe do i nënshtrohen) deri në ditën e Gjykimit, të gjithë janë muslimanë.

Por këtu kemi diçka që duhet ditur ne si muslimanë, se adhurimet a kanë qenë të njëjta sikurse tani dhe për këtë më së miri do e sillja një shembull konkret në mënyrë që të kuptohet, i cili besoj do jetë i lehtë për t’u kapur.

Shembulli: Ata që kanë pasur kompjuter para 10 vitesh kanë përdorur programe të tjera. Dhe ata që përdorin kompjuter tani pas 10 vitesh, përdorin programe të tjera që janë modernizuar dhe kanë avancuar bashkë me kohën.
Kështu ne nuk mund t’i themi një personi që ka pasur kompjuter para 10 vitesh se ai nuk ka poseduar një kompjuter vetëm pse ai nuk ka përdorur Windows apo ndonjë nga programet e tanishme. Por i themi se kompjuterët tani janë përsorur dhe funksionojnë me programe të tjera.

Edhe feja islame është e njëjta, së pari Allahu e ka zbrit Ademin alejhi selam, njeriun e parë si dhe pejgamberin e parë në sipërfaqen Tokës dhe njerëzit që atëherë e kanë adhuruar Zotin derisa kanë arritur në një pediestal apo vend ku kanë filluar mos ta njohin më Zotin. Kur kanë filluar mos ta njohin Atë (Allahun), Allahu pastaj ka dërguar pejgamber tjetër përsëri, i cili i ka thirrur ata që t’i nënshtrohen dhe ta adhurojnë Allahun. Dhe kështu me radhë pejgamberët janë dërguar nga ana e Allahut derisa ka ardhur rendi tek Pejgamberi ﷺ, dhe me të (Pejgamberin ﷺ) ka dërguar një shpallje, shpallje kjo në të cilën nuk mundet askush të ndërhyjë më në të për të bërë ndryshime.

Dhe për këtë pas Pejgamberit ﷺ nuk ka nevojë më për pejgmaber tjetër sepse shpallja e tij është e gjallë dhe nuk ka mundësi të ndryshohet, askush nuk ka mundësi të bëjë ndryshime në të. Do mbetet origjinale ashtu siç e ka zbritur Allahu, kjo pasi që Allahu e ka garantuar këtë duke thënë:

“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (Hixhr, 9)

Kështu që Kurani është nën mbrojtjen e Allahut dhe secili që i nënshtrohet Allahut është muslimanë. Dhe të gjithë ata që ishin para Pejgamberit ﷺ të gjithë pejgamberët e nderuar dhe ata besimatarë të nderuar që iu nënshtruan Allahut dhe kanë punuar me ligjet e asaj kohe që i ishin zbritur pejgamberit të asaj kohe, shembull ata të cilët kanë punuar me ligjin e Musës alejhi selam, ata të cilët kanë punuar me ligjin e Isës alejhi selam apo ata që punuan me ligjin e Nuhut alejhi selam apo ata të cilë punuan me ligjin e Ibrahimit alejhi selam dhe pejgamberëve të tjerë, janë muslimanë.

Ndërsa ne jemi muslimanë të cilët e praktikojmë ligjin e fundit e ardhur nga Allahu, ai është Kurani, të cilin e kemi në ditët e sotme në duart tona dhe në biblotekat tona.

Do të thotë të gjithë pejgamberët kanë adhuruar Allahun por me disa ndryshime të vogla në adhurime, të cilat nuk kanë rëndësi. E rëndësishme është ta njohim Allahun, dhe Atë ta njohim si Krijues, dhe i Cili çdo gjë që shohim e ka krijuar dhe vetëm Ai të adhurohet.

Hoxhë Ferid Selimi