Pyetja:

A konsiderohet betim shprehja që përdorin shumë njerëz, p.sh. “jo tybe”?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk jemi shumë të sigurt se nga rrjedh kjo fjalë, por mendojmë se origjinën e ka prej fjalës “teube”, që nënkupton pendim dhe keqardhje për ndonjë gjë. Ajo që na shtyn të besojmë se rrjedh nga kjo fjalë është se në disa rajone përdoret së bashku me këtë fjalë edhe shtesa “tybe istikfa (istigfar)”, apo “tybe estagfirullah”. Fjala “istigfar” do të thotë kërkim faljeje. Në esencë, të dyja këto shprehje (tevbe dhe istigfar) përdorën kur kërkojmë pendim dhe falje nga Allahu i Lartësuar për ndonjë të keqe që kemi bërë.

Ndërsa për përdorimin që është përhapur në gjuhën shqipe, Allahu e di më së miri, mendojmë se kjo shprehje thuhet në rast të dëgjimit të ndonjë fjale të keqe apo nëse nga ne kërkohet të veprojmë ndonjë gjë të padëshiruar, qoftë mëkat apo vepër të ulët, nga e cila denoncohemi dhe themi këtë shprehje “jo tybe”, që nënkupton kërkim pendimi paraprakisht edhe pa e vepruar atë vepër ose sqarim ndaj bashkëfolësit se nuk do ta bëjmë atë vepër kurrë.

Mund të themi se kjo shprehje është e njëjtë me shprehjen “Hasha lil-lah” që përdoret në gjuhën arabe dhe ka kuptimin “Qoftë i pastër Allahu”, ose “Allahu na ruajttë”, kur dëgjojmë nga dikush ndonjë gjë të papranuar apo kur supozohet diçka jo e drejtë. Kështu, kjo shprehje “Hasha lil-lah” është përdorur në ngjarjen e Jusufit alejhi selam me gruan e cila tentoi ta joshte atë që të bënte mëkat dhe kur në fund u zbulua se kush kishte faj në atë ngjarje, Allahu i Lartësuar thotë:

Ai (mbreti) tha: “Çka ishte puna juaj kur ju vetë e dëshiruat (iu vërsulët) Jusufin?” Ato thanë: “Zoti na ruajttë, ne nuk dimë ndaj tij asnjë të keqe!” Gruaja e ministrit tha: “Tash doli në shesh e vërteta, e unë iu vërsula atij me dashuri, e ai është nga të drejtit!” (Jusuf, 51)

Edhe për këtë shprehje në gjuhën arabe “Hasha lil-lah” ka disa që mendojnë se është betim, por në fakt nuk është betim. Ndoshta është i nevojshëm të përmendet fakti se disa supozojnë se shprehja “tybe” vjen nga fjala “tyrbe”, por kjo është e largët dhe nuk është e saktë.
Duke pasur parasysh këto që u thanë, mund të përfundojmë se shprehja “tybe” nuk është betim dhe nuk është e saktë të trajtohet si betim, edhe pse ndoshta dikush e mendon se është, por kjo është gabim. Betimi kryesisht ne Islam mund të ndahet në dy lloje:

1) Betim i ndaluar: betimi në krijesat e Allahut.

2) Betim i lejuar: betimi në emrat dhe cilësitë e Allahut.

Shprehja “tybe” nuk hyn as në llojin e parë e as në llojin e dytë, prandaj nuk është e drejtë të konsiderohet betim, Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi