Pyetja:

A konsiderohet shirk sexhdeja dhe rukuja me qëllim përshëndetjeje?

***

Përgjigjja:

Së pari, sexhdeja – po ashtu rukuja – është dy llojesh:
1. Sexhdeja e adhurimit
Ky lloj i sexhdes bëhet duke shprehur përulje, nënshtrim dhe adhurim, dhe s’bën të bëhet për dikë tjetër veç Allahut. Kush i bën sexhde adhurimi ndokujt veç Allahut, bën shirk të madh.

2. Sexhdeja e përshëndetjes
Kjo bëhet për të përshëndetur, për të treguar respekt dhe për të nderuar personin që i bëhet sexhdeja. Ky lloj sexhdeje qe i lejuar në disa ligje që iu shpallën pejgamberëve para Islamit, por më pas Islami e ndaloi. Kështu, kush i bën sexhde një krijese për ta përshëndetur, bën një veprim tëndaluar, megjithatë ai nuk bën shirk apo kufr (mosbesim).
Imam Ibn Tejmije tha:
“Sexhdeja është dy llojesh: sexhdeja e adhurimit dhe sexhdeja e përshëndetjes dhe e respektit. Lloji i parë bëhet vetëm për Allahun.”
“Muslimanët janë të një mendjeje se sexhdeja ndaj dikujt tjetër veç Allahut është e ndaluar.” (Mexhmu el-Fetaawaa 4/358, 361) & (Xhaami el-Mesaa’il 1/25)
“Tekstet e Sunetit dhe konsensusi i umetit tregojnë se, sipas ligjit të sjellë nga Pejgamberi ﷺ, është e ndaluar të bëhet sexhde për dikë tjetër veç Allahut, qoftë për të përshëndetur, qoftë për të adhuruar, meqë pejgamberi ia ndaloi Muadh ibn Xhebelit t’i bënte sexhde, kur ai erdhi nga Siria dhe i bëri sexhde atij në shenjë përshëndetjeje.”

El-Kurtubi tha:
“Sa i përket sexhdes që është e ndaluar, sufijtë ekstremë të paditur e kanë bërë zakon në tubimet e tyre (kur nisin dhikrin dhe nashidet e tyre) dhe kur hyjnë te shehat e tyre për të kërkuar falje. Sheh ndonjërin prej tyre, kur hyn në gjendje ekstaze – siç pohojnë ata -, të bëjë sexhde me ballë në tokë, nga padija, qoftë në drejtim të Kibles, qoftë tjetërkah.”
(Tefsir el-Kurtubi 1/294)
Së dyti, sa i përket pikëpamjes se sexhdeja ndaj kujtdo tjetër veç Allahut është shirk në çdo rast, ngaqë sexhdeja në vetvete është një akt adhurimi që s’bën t’i drejtohet tjetërkujt veç Allahut, ky është një mendim i dobët. Kjo mund të kuptohet nga gjërat në vijim:

3. Allahu urdhëroi engjëjt t’i binin në sexhde Ademit. Sikur thjesht vetëm sexhdeja të ishte shirk, Allahu nuk do t’i urdhëronte për këtë.
Et-Taberi tha: “… pastaj bini në sexhde atij” (el-Hixhr, 29) i referohet sexhdes së përshëndetjes dhe të nderimit, jo sexhdes së adhurimit.
Ibn Arabi tha: “Umeti janë të një mendjeje se sexhdeja e engjëjve ndaj Ademit nuk qe një sexhde adhurimi.” (Ahkaam el-Kur’an 1/27)
Ibn Hazm edh-Dhahiri tha: “S’ka dallim mendimesh mes muslimanëve për atë se sexhdeja e tyre (engjëjve) qe një sexhde adhurimi; sexhdeja e tyre ndaj Ademit qe një sexhde përshëndetjeje dhe respekti.” (el-Fesl fil-Milel wel-Ahwa wen-Nihel 2/129)

4. Allahu na tregoi për sexhden që Jakubi dhe bijtë e tij i bënë Jusufit. Po të ishte shirk, pejgamberët e Allahut  nuk do ta bënin. Mundim të themi se kjo qe pjesë e mësimeve fetare të atyre që kanë qenë para nesh, meqë shirku kurrë s’ka qenë i lejuar në mësimet e ndonjë prej pejgamberëve, dhe mësimet e simbolet e Teuhidit (pohimi i njësisë së Allahut) s’kanë ndryshuar që nga koha e Ademit e deri te pejgamberi Muhamed ﷺ.
Et-Taberi tha: “Ibn Zejd tha lidhur me ajetin ‘… dhe ata i bënë sexhde atij’ (Jusuf, 100):
Kjo qe një sexhde nderimi dhe respekti, njësoj si sexhdeja që engjëjt i bënë Ademit për ta nderuar dhe respektuar. Pra, nuk qe një sexhde adhurimi. Sa i përket atij që tha se sexhdeja e tyre qe përshëndetje mes tyre, me këtë ai mendoi se kjo qe zakon mes tyre, jo mënyrë adhurimi ndaj njëri-tjetrit. Ajo që mbështet këtë mendim është fakti se ky zakon vazhdoi të zbatohej nga njerëzit për një kohë të gjatë dhe nuk bëhej për ta adhuruar njëri-tjetrin.’” (Xhaami el-Bejaan 13/356)
Ibn Kethir tha:
“Kjo qe lejuar në ligjet dhe mësimet e tyre; kur përshëndetnin një të moshuar, i bënin sexhde. Kjo mbeti e lejueshme nga koha e Ademit deri te mësimet e Isës, por kjo është e ndaluar për umetin, dhe sexhdeja ka mbetur të bëhet vetëm për Zotin.”
(Tefsir el-Kur’an el-Adhim 4/412)
El-Kaasimi tha: “Ajo për të cilën s’ka kurrfarë dyshimi është se sexhdeja në fjalë nuk qe
një sexhde adhurimi a përuljeje, por vetëm një sexhde respekti.”
(Mehaasin et-Te’wil 6/250)

5. Mu’adhi i bëri sexhde pejgamberit, kur u kthye nga Siria. Po të ishte shirk kjo, Pejgamberi ﷺ do t’ia shpjegonte atij, por ajo çfarë ndodhi ishte vetëm shpjegimi se nuk lejohet t’i bëhet sexhde atij. Është përcjellë se Abdullah ibn ebi Awfa tha: “Kur Muadh ibn Xhebeli erdhi nga Siria, i bëri sexhde pejgamberit, i cili reagoi: ‘Çfarë është kjo, o Muadh?’ Ai iu përgjigj: ‘Isha në Siri dhe pashë t’u bënin sexhde kryepeshkopëve dhe patrikëve, kështu që desha ta bëja këtë për ty.’ I Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: ‘Mos vepro kështu. Sikur të urdhëroja ndokënd t’i bëjë sexhde dikujt tjetër veç Allahut, do ta urdhëroja gruan t’i bëjë sexhde bashkëshortit. Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muhamedit, asnjë grua s’do të përmbushë detyrën e saj ndaj Allahut, derisa të përmbushë detyrën e saj ndaj bashkëshortit.’” (Ibn Maaxhe [1853]. Hasen nga shejh Albani).
Shejhul-Islam tha: “Është e mirënjohur se ai nuk tha: ‘Sikur të urdhëroja ndokënd të adhurohej (në vend të ‘sikur të urdhëroja ndokënd t’i bëjë sexhde’) …”
(Mexhmu el-Fetaawa 4/360)
Edh-Dhehebi tha:
“A nuk sheh sesi Sahabët, nga dashuria e madhe që kishin ndaj tij ﷺ, e pyetën: ‘A nuk duhet të të bëjmë sexhde?’ dhe ai tha ‘Jo’. Po t’u jepte leje, ata do t’i bënin sexhde në shenjë respekti dhe nderimi, siç bënë vëllezërit e Jusufit , jo për ta adhuruar. Diçka e ngjashme mund të thuhet për të bërit e sexhdes nga muslimanët te varri i Pejgamberit ﷺ për ta nderuar atë; i këtilli nuk bën një akt mosbesimi (kufri), por bën gjynah. Prandaj atë duhet informuar se kjo nuk lejohet. E njëjta gjë vlen për namazin drejt Kibles.”
(Mu’xhem esh-Shujuh el-Kebir 1/73)

6. Është provuar në disa hadithe se disa kafshë i bënë sexhde Pejgamberit ﷺ. Sikur thjesht vetëm sexhdeja të përbënte shirk, kjo s’do të ndodhte në rastin e Pejgamberit ﷺ.
Shejhul-Islam tha: “Kafshët i bënin sexhde Pejgamberit ﷺ, dhe kafshët nuk adhurojnë
tjetërkënd veç Allahut. Atëherë, si mund të thuhet se sexhdeja ndaj një gjëje nënkupton adhurim (në çdo rast)?” (Mexhmu el-Fetaawa 4/360)

7. “Vetëm sexhdeja” është një nga vendimet sheriatike për të cilën mund të ketë vendime të ndryshme nëpër kohë, ndryshe nga çështjet e Teuhidit të cilat duhet të zënë vend në zemër, pra janë fikse dhe nuk ndryshojnë.
Shejhul-Islam tha:
“Sa i përket përuljes dhe devotshmërisë në zemër, pranimit të hyjnizimit të Allahut dhe robërimit ndaj Tij, kjo në asnjë rast nuk bën të jetë për dikë tjetër veç Allahut. Nëse kjo i kushtohet dikujt tjetër veç Allahut, është e ndaluar dhe e pavlefshme. Sa i përket sexhdes, kjo ka të bëjë me ligje e me vendime, sepse Allahu na ka urdhëruar t’i bëjmë sexhde Atij. Sikur Ai të na urdhëronte t’i bënim sexhde ndonjë prej krijesave të Tij veç Tij, ne do ta bënim këtë, po të donte Ai që ta nderonim atë që do t’i bëhej sexhde; sikur Ai s’do ta bënte obligim sexhden, nuk do të ishte obligim për ta bërë. Sexhdeja e engjëjve ndaj Ademit  qe një akt adhurimi ndaj Allahut, një shenjë bindjeje ndaj Tij dhe një mënyrë afrimi ndaj Tij. Për Ademin ajo sexhde qe një nder dhe shenjë respekti. Sexhdeja e vëllezërve të Jusufit ndaj tij qe një formë përshëndetjeje. A nuk sheh se, kur prindërit e tij i bënë sexhde, Jusufi nuk u bëri vërejtje.”
(Mexhmu el-Fetaawa 4/360)

8. Dallimi mes sexhdes së përshëndetjes dhe sexhdes së adhurimit nga këndvështrimi i dijetarëve të medhhebeve të ndryshme.

Fekhr ed-Din ez-Zejle’i tha:
“Ajo çfarë bëjnë disa nga puthja e tokës para dijetarëve, është haram. Ai që bën këtë, së bashku me atë që e miraton këtë, bën gjynah, sepse kjo i përngjanë adhurimit të idhujve. Es-Sadr esh-Shehid tha se personi nuk bëhet qafir thjesht vetëm me bërjen e sexhdes, sepse ai me këtë ka ndër mend një përshëndetje.” (Tebjin el-Hakaa’ik 6/25)
Ibn Nuxhejm el-Hanefi tha:
“Sexhdeja ndaj tiranëve përbën mosbesim (kufr), nëse me këtë synohet adhurimi, por jo dhe kur me këtë është si qëllim përshëndetja, sipas pikëpamjes së shumicës së dijetarëve.” (el-Bahr er-Raa’ik 5/134)

 

Neveviu ka thënë:
“Ajo çfarë shumë injorantë bëjnë me sexhden para shejhave, është haram në të gjitha rastet, qoftë kur kjo bëhet në drejtim të Kibles, qoftë në drejtim tjetër; qoftë kur qëllimi është t’i bëhet sexhde Allahut, qoftë kur kjo bëhet nga pakujdesia. Në disa raste, kjo përbën kufr (mosbesim) apo pothuajse kufr. Allahu na faltë!” (el-Mexhmu Sherh el-Muhedhdheb
4/69)
Shihab ed-Din er-Ramli tha:
“Thjesht vetëm sexhdeja para shejhut nuk do të thotë se nderimi që i bëhet atij është njësoj si nderimi që i bëhet Allahut , në kuptimin se ai adhurohet me këtë. Kjo përbën mosbesim (kufr) vetëm nëse kjo (adhurimi) është si qëllim.” (Nihaajet el-Muhtaaxh ila Sherh el-Minhaaxh 1/122)
Er-Ruhejbaani tha:
“Sexhdeja ndaj pushtetarëve apo ndaj të vdekurve me qëllim adhurimi përbën mosbesim (kufr), dhe për këtë janë të një mendjeje të gjithë muslimanët. Në anën tjetër, të përshëndetësh një qenie njerëzore duke i bërë sexhde, është një gjynah i madh.”
(Metaalib Uli en-Nuhe 6/278)
Esh-Shewkani tha:
“Është thelbësore të sqarohet kjo duke theksuar se, nëse sexhdeja bëhet me qëllim të hyjnizimit të atij që i bëhet sexhde, atëherë me këtë sexhde do t’i vihet ortak Allahut  dhe do të pohohet një i adhuruar tjetër veç Tij. Por, nëse qëllimi është vetëm të tregohet respekt, siç ndodh shpesh me ata që vizitojnë mbretër të huaj (joarabë), ku bien përmbys në tokë në
shenjë respekti ndaj mbretit, kjo nuk përbën mosbesim (kufr). Të gjithë dijetarët janë të një mendjeje se etiketimi i një personi të veçantë si mosbesimtar (qafir), është një çështje serioze dhe s’duhet të merret me lehtësi.” (es-Sejl el-Xheraar 4/580)
Shejh Muhamed ibn Ibrahim tha:
“Përkulja gjatë përshëndetjes është haram, nëse qëllimi është përshëndetja. Nëse qëllimi është adhurimi, atëherë kjo përbën mosbesim (kufr).” (Fetaawa we Reaa’il esh-Shejh Muhamed ibn Ibrahim Aal esh-Shejh 1/109)

Shejh Abdul-Aziz Abdul-Latif tha:

“Është e mirënjohur se sexhdeja e adhurimit, që bazohet në përulje, nënshtrim dhe nderim vetëm të Allahut , është pjesë e Teuhidit (pohimit të njësisë së Allahut), për të cilin thirrën të gjithë të Dërguarit. Nëse kjo i kushtohet tjetërkujt veç Allahut, është shirk dhe vënie ortakësh Atij. Por, nëse personi i bën sexhde babait të vet apo ndonjë dijetari me nijetin për ta respektuar e përshëndetur, atëherë kjo hyn në kategorinë e gjërave të ndaluara që janë më pak se shirk. S’do mend se, nëse qëllimi është të tregohet nënshtrim dhe përulësi, atëherë kjo përbën shirk.” (Newaakid el- Iman el-Kawlijjeh ëel-Amalijjeh, f. 278)

Përmbledhtas: Sexhdeja ndaj kujtdo veç Allahut nuk përbën mosbesim (kufr), përveç nëse bëhet me qëllim adhurimi. Nëse sexhdeja bëhet me qëllim përshëndetjeje, është gjynah i madh, por jo mosbesim (kufr).
Allahu e di më së miri.