Pyetja:
Insektet që gjenden në shtëpi, siç janë milingonat, kacabunjtë dhe të ngjashmet si këto, a lejohet vrasja e tyre me ujë apo zjarr, në qoftë se nuk lejohet, çfarë të bëj?
***
Përgjigjja:
Nëse këto insekte bëjnë dëme, i vret ato, porse jo me zjarr, i vret me insektvrasës, për shkak të fjalës së Pejgamberit ﷺ: “Pesë kafshë janë të dëmshme, ato vriten jashtë apo brenda territorit të vendit të shenjtë (haremit të Mekkes), ato janë: korbi, qifti, miu, akrepi dhe qeni i tërbuar.”
Ka ardhur në një hadith tjetër të saktë ku përmendet edhe gjarpri.
Ky hadith është i saktë nga Pejgamberi ﷺ që tregon për ligjshmërinë e vrasjes së këtyre gjërave që u përmendën dhe ato që hyjnë në radhët e këtyre siç janë ata që bëjnë dëme, si milingonat, bletët, kacabunjtë, mushkonjat, mizat, egërsirat, në mënyrë që të mbrohemi nga dëmi i tyre. Por, nëse milingona nuk bën dëm, atëherë ajo nuk vritet sepse Pejgamberi ﷺ ka ndalur që të vritet milingona, bleta, pupëza, es-suredu (një lloj zogu), nëse ato nuk të bëjnë ndonjë dëm. Por nëse ato shkaktojnë dëme, atëherë konsiderohen sikur ato pesë lartë që u përmendën në hadith.
Shejh Abdul-Aziz Ibn Baz, “Mexhm’ul Fetaua ue Mekalaat Muteneu’ia”, vëll. 7, fq. 147