Pyetja:

A lejohet të martohet një motër myslimane vejushë, e ndarë nga burri duke lidhur kurorë me një djalë mysliman në Suedi vetëm për të arritur në bashkim familjar dhe për të përfituar letrat e shtetit Suedez? Duke pasur parasysh se ata nuk do rrinë bashkë, nuk do flenë bashkë dhe nuk do kenë marrëdhënie bashkë asnjëherë, por martesa është formale thjesht për të përfituar letrat Suedeze dhe bashkimin familjar dhe më pas ndahen menjëherë.

***

Përgjigja:

Një martesë e tillë formale, bazohet mbi një mashtrim, pasi qëllimi nuk është martesa, por diçka tjetër, ndërkohë kodi i martesës në Islam nuk e pranon një moral të tillë. Në këtë rast nuk shihet fakti se këtë mashtrim nuk je duke ia bërë muslimanëve, por një shteti që nuk është islam dhe i përket një feje tjetër. Mashtrimi në Islam është i ndaluar në mënyrë të përgjithshme, si në mesin e muslimanëve, por edhe në marrëdhënie me njerëzit dhe shoqëritë e tjera jo-islame. Gjithashtu kjo lloj martese –nëse merret vesh nga të tjerët- mund të bëhet shkak për akuza të ndryshme, që dëmtojnë nderin dhe imazhin e një gruaja të ndershme muslimane. Sidoqoftë, nëse bashkimi familjar nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta realizuar edhe nëse merr kohë dhe është i domosdoshëm, p.sh. nuk ka kush të kujdeset për gruan në fjalë, apo vihet në sprovë nderi i saj, në vendin ku ajo ndodhet aktualisht, atëherë kjo martese formale mund të bëhet për t’i shpëtuar një rreziku apo problemi më të madh që i kanoset asaj. Por, gjithsesi një musliman duhet të ketë frikë Zotin kur ndërmerr veprime të tilla, sepse për çdo abuzim përgjegjësia bie mbi vetë personin, pasi asnjë hoxhe dhe asnjë fetva nuk mund ta bëj haramin hallall dhe as hallallin haram, nëse ajo tek Zoti nuk është e tillë në rastin konkret.

Allahu e di më së miri.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë