Pyetja:
A lejohet shikimi i videove e “The Arrivals”, në shqip “Mashtrimi i madh”?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Seriali dokumentarë me titull: “The Arrivals”, është një film i prodhuar nga disa të rinj myslimanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata udhëtuan në disa vende të botës për ti filmuar disa shenja e simbole që ato ti sqarojnë në filmin e tyre. Filmi është mjaft i gjatë, është i ndarë në 52 pjesë me nga dhjetë minuta dhe në përgjithësi për ta shikuar duhet të harxhojmë përafërsisht nëntë orë. Me një fjalë është një kohë mjaft e gjatë dhe ne nuk e kemi shikuar, vetëm se disa pjesë. Ndërsa dokumentari në gjuhën shqipe me titull: “Mashtrimi i Madh”, është i njëjtë i marrë kryesisht nga “The Arrivals” në gjuhën angleze, përveç se janë ndryshuar disa gjëra në radhitje, pastaj kemi disa heqje të qëllimshme dhe shtesa në shkrim dhe në video. Disa gjëra që kanë të bëjnë me shqiptarët, flamurin, masonët shqiptarë, ngjarjet në rajon, etj., janë të shtuara në këtë dokumentarë dhe këto nuk gjenden në dokumentarin në gjuhën angleze. Sido që të jetë ne nuk i kemi shikuar të gjitha që të japim ndonjë vlerësim më të detajizuar, por do të mundohemi në vazhdim të japim disa vlerësime të përgjithshme për dy dokumentarët, pasi që edhe pse mund të kenë disa dallime, prapë materiali i cili shfaqet është i njëjtë dhe tema e cila elaborohet është po ashtu e njëjta.
– Në këto dokumentarë temat të cilat trajtohen janë: dalja e Dexhallit, paraqitja e Imam Mehdiut, zbritja e të Dërguarit Isa, paqja qoftë mbi të, pastaj ngjarjet të cilat ndodhin sot dhe rolin e shoqërive sekrete masone e sioniste në to.
Dokumentari tërheq vëmendjen e shikuesit mjaft duke i ofruar informacione që ngacmojnë vetëdijen e tij dhe më pastaj ndërlidhjen e atyre informacioneve me disa ngjarje, simbole, personalitete, etj.
Me pyetjet e shpeshta që parashtrohen dhe përgjigje që jepen e shpie shikuesin në gjendjen që të pajtohet me opinionin e dëshiruar nga prodhuesit e dokumentarit.
– Për sa i përket përmbajtjes dhe informacioneve që shfaqen themi se shumë nga ato mund të jenë të sakta, mirëpo vërehet një ekzagjerim në to pasi që shikuesi pas dokumentarit mund të kuptoj se çdo gjë çfarë po ndodh në botë është sipas planifikimeve të shoqërive konspirative masone dhe asgjë nuk del jashtë arkitekturës së tyre.
Ndërsa e sakta është se këto shoqëri ekzistojnë dhe ata tentojnë ti kenë të tjerët në kontroll, mirëpo nuk është e saktë se çdo planifikim i tyre është realizuar dhe se do të realizohet në të ardhmen. Zoti i Madhërishëm na tërheq vërejtjen në lidhje me komplotet e armiqve dhe se ata nuk do të ndalen, mirëpo mbi ta është Allahu i Madhërishëm që do ti bëj ata të dështojnë. Në Kuran thuhet:
“…ata (jobesimtarët) bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” (Enfal: 30)
Bota përderisa do të ekzistoj do të ketë sherr dhe hair, luftë dhe paqe, misionarë mashtrues (dexhalla) dhe misionarë të së vërtetës, vrasje dhe shpëtim, mërzi dhe lumturi, dhimbje e kënaqësi. Le të zgjedhin të tjerët të parën ndërsa ne zgjedhim të dytën dhe secili do vjelë frutin që mbjellë. Prandaj nuk është e drejtë që tërë interesimi i jonë të fokusohet në atë që bëjnë të tjerët kundër neve (myslimanëve), por të mendojmë se çfarë ne bëjmë për vetën. Edhe njëherë e themi se në këto dokumentarë ka shumë informacione të sakta dhe shumë nga lidhjet që bëhen mund të jenë të sakta, por është i padrejtë opinioni tek i cili mund të arrijë shikuesi dhe ai është se ekziston një komplot i madh pas të cilës janë njerëz shumë të rrezikshëm që punojnë për dëmtimin e muslimanëve dhe shpëtimi i vetëm është ardhja e Imam Mehdiut.
– Duhet ta cekim edhe atë se këto dokumentarë përmbajnë edhe disa qëndrime, ide dhe mësime që nuk janë të sakta, e mos të flasim për muzikën dhe disa pamjeve jo të mira. Sikurse disa njohuri rreth Isait, alejhi selam, rreth Dexhallit, pastaj nga trajtimi i dokumentarit mund të nënkuptohet thirrja në bashkimin feve. Rreth kësaj më konkretisht do të flasim në një pyetje tjetër e cila na ka arritur në lidhje me disa çështje që i përmban dokumentari për Dexhallin.
Gjithashtu ja vlen ta përmendim edhe atë se në dokumentarin e gjuhës angleze, lavdërohet kryetari i tanishëm i Iranit, Ahmedi Nexhad dhe lëvizja Hizbullah, që është aktive në Liban, derisa disa lëvizje tjera vlerësohen se janë dorë e armiqve dhe e CIA-së, gjë që na jep të kuptojmë se ka edhe elemente të shiizmit, fatmirësisht kjo është mënjanuar në dokumentarin shqip.
Pa u zgjeruar më shumë themi se nuk do të ishte e drejtë që të humbim kohë duke ndjekur dokumentarët në fjalë, për arsyet që i ceka më lartë. Pastaj gjithashtu edhe shumë nga myslimanët kanë nevojë për mësime burimore me të cilat ata do të përmirësojnë vetën e tyre. Nuk themi se nuk ka dobi në to, pasi që vërtet janë disa gjëra që janë realizuar në mënyrë mjaft të detajizuar, por e keqja qëndron në atë se shumë gjëra të sakta janë përzier me të pasakta dhe supozime të cilat nuk mund të dallohen nga shikuesit e rëndomtë, posaçërisht ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth shenjave të Kiametit dhe mësimeve tjera Islame. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi