Pyetja:

Më tregoni diçka më hollësisht rreth dijetarit Said Nursi dhe nxënësit e tij (nurxhitë).

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Said Nursi është u lind në vitin 1873 dhe vdiq më 1960. Nga prejardhja është kurd dhe periudha në të cilën jetoi konsiderohet koha kur Perandoria Osmane kalonte tranzicionin nga hilafeti në një shtet laik (sekularist) në krye me Kemal Ataturkun. Said Nursi ishte nga ata që konsiderohen nga ata që më së shumti kundërshtuan këtë, prandaj edhe vet Ataturku u mundua ta bëjë për vete me disa privilegje dhe joshje, me të cilat u mundua ta fusë në politikën e tij, por nuk ia arriti.

Në luftën e parë botërore ai e organizoi një batalion që e ndihmuan ushtërinë turke, pastaj u bë oficer dhe mbrëmjeve u mbante mësime dhe ligjërata ushtarëve te tij.

Në këtë kohë rusët e zënë rob dhe e internojnë në Siberi, por ai arriti të ikte nga atje dhe u kthye ne Stamboll, ku u prit me një pritje madhështore.

Nga personaliteti i këtij njeriu vërehet se ishte një dijetar, i cili ishte mjaft aktiv, por nga persekutimet të cilat i përjetoi, fundin e e jetës e kaloi duke u larguar nga aktivitetet me të cilat biente ndesh me shtetin si me politikë apo organizimin e popullit. Kështu që, veçohet dhe fillon të merret më shumë me shkrime kryesisht që kanë të bëjnë me shpirtin dhe sufizmin.

Prap se prap, sekularistët të cilët sunduan pas rënies së halifatit, ia kishin frikën dhe e kundërshtonin atë me të gjitha format, ku e burgosën dhe nuk e liruan derisa vdiq.

Ky njeri vërehet që kishte njohuri në fusha të ndryshme dhe në metodologji ishte maturidi të përzier me sufizëm dhe në medhheb ishte hanefi.

Prandaj, themi se përkundër njohurive dhe diturisë që kishte, vërehet në shkrimet e tij që ishte shumë i ndikuar me filozofi (ilmul kelam) dhe sufizëm, ku trajtimet e çështjeve nga ana e tij, pothuajse, gjithmonë analizohen me këto dy spektre.

Për jetën e këtij njeriu ka shumë çfarë mund të flitet, por në vazhdim deshirojmë të flasim diçka edhe për pasuesit e tij që sot njihen me emrin nurgji.

Një nga problemet me të cilat ballafaqohen pasuesit e këtij njeriu, por edhe shumë nga muslimanët është shenjtërimi i njerëzve, sikurse ndodh me pasuesit e Said Nursit. Ata e quajtën atë Bediu Zeman (Ndryshues i kohës).

Me fjalën shenjtërim kemi për qëllim fanatizmin që kanë pasuesit e tij, ku çdo thënie apo qëndrim të këtij njeriu e marrin të pagabur dhe të saktë, ashtu siç duhet të trajtohet vetëm fjala e Allahut të Lartësuar dhe fjala e të Dërguarit të Tij ﷺ. Duke i bashkangjitur kësaj se ata fokusohen vetëm në shkrimet e tij, tek ata nuk gjen diçka tjetër, përveç librave të këtij njeriu.

Thëniet që nuk janë të Allahut të Lartësuar apo të Dërguarit të Tij ﷺ, këto fjalë nuk janë të pagabura. Çdonjëri përveç profetëve fjala e tij ka mundësi të jetë e gabuar apo është e mundëshme të jetë e pasaktë, prandaj nuk pranohet thënia e tij, derisa të peshohet me Librin e Allahut dhe sunetin e Profetit ﷺ.

Prandaj edhe Said Nursiu ishte njeri sikurse të gjithë të tjerët dhe thëniet e tij, patjetër, duhet të peshohen me peshojën e Kuranit dhe Sunetit. Çfarë është në pëlqim me këtë merret e çfarë jo, refuzohet dhe neve asesi nuk na lejohet që çdo qëndrim të tij ta marrim verbërisht. Kurse tek pasuesit e tij shohim se ata jo që marrin çdo gjë nga ai, por ata e ngrenë atë aq lartë sa që i japin tipare të një njeriu mbinatyror (se ka qenë eulija) dhe për këtë argumentojnë me tregime të zbukuruara dhe ëndërra.

Duke pasur këtë parasysh themi se nga shkrimet e këtij njeriu vërehet se në fushën e akides, kishte sufizëm dhe në shumë çështje i jepte prioritet mendjes dhe logjikës. Prandaj edhe nuk gabojmë fare, nëse këtë xhemat e klasifikojmë në radhët e xhemateve sufite.

Sidoqë të jetë ne nuk deshirojmë të zgjerohemi më tepër, por këtu deshirojmë të bëjmë me dije se nga muslimani nuk lejohet që njerëzve t`u caktojë pozita dhe t`i madhërojnë ata më shumë se sa është e lejuar, pa marrë parasysh kush ishte ai dhe çfarë bëri.

Prandaj i porosisim muslimanët që të merren me dituri të dobishme të bazuar në Kuran dhe Sunet, ashtu siç e kanë kuptuar të parët tanë, duke filluar nga sahabët, pastaj ata dijetarë që kanë ardhur pas tyre, duke mos shenjtëruar ndonjë thënie të asnjërit nga ata, pasi të gjithë ata janë njerëz dhe secili nga ata ka mundësi të gabojë. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi