Pyetja:

A lejohet shitja e luleve për 7 dhe 8 Mars? Kur ke biznes me lule.

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ

Fillimisht dua të sqaroj në lidhje me atë që njihet si: “Dita e Gruas”, “Dita e Mësuesit”, e të ngjashme me to, nuk përkojnë me mësimet e fesë Islame, madje bie ndesh me to, ngase në Islam nuk ka data, apo ditë që madhërohen, pos atyre që i madhëroi Islami si: Festat e dy bajramave, dita e Premte. Ndërsa madhërimi i datave të caktuara është traditë joislame, e cila ka depërtuar te disa shoqëri muslimane. Kjo, jo pse mësuesit, gratë, fëmijët, dëshmorët, e të tjerë, nuk meritojnë respekt dhe nderim, përkundrazi këta meritojnë respket dhe nderim në çdo ditë të vitit, porse veçimi i ditëve të caktuara shenjtërimi dhe madhërimi i tyre; duke i shndërruar në festa, bie ndesh me parimet e fesë Islame.

Së dyti: Shitja e luleve konsiderohet prej bizneseve të lejuara, në parim dhe nuk ka diçka të keqe në të. Si i tillë ky biznes nuk ka lidhje në cilën ditë bëhet dhe për çfarë arsye blihen lulet, përderisa shitja e tyre është e lejuar në parim dhe përdorimi i tyre në të shumtën e rasteve bëhet në mënyrë të lejuar. E nëse e dimë që përdorimi i tyre do të bëhet për gjëra të ndaluara, si: Festimi i festave josilame, disa dijetarë nuk e kanë preferuar shitjen e tyre për personat e tillë dhe në situata të tilla. Si rrjedhojë, shitja e luleve, e cila është biznes vjetor; gjegjësisht zhvillohet gjatë tërë vitit, lejohet edhe më 7 dhe 8 mars dhe nuk shoh këtu ndonjë problem. Allahu e di më së miri.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Comments are closed.