Pyetja:

Në një prej fetvave të Ibn Tejmijes kam lexuar se ka thënë: ‘Tallkini apo thirrja e të vdekurit është e pëlqyeshme këtë mendim e kanë imam Ahmedi dhe Shafiu, ndërsa imam Maliku thotë se është bidat.”

***

Përgjigjja:

Në librin “El Fetawa el Kubra”, të Ibn Tejmijes përmenden disa fetva në lidhje me talkinin e të vdekurit, dhe prej tyre kuptohet që Ibn Tejmije nuk e shihte të ndaluar dhe as bidat këtë gjë, por mendonte se ishte e lejuar, duke u bazuar në disa transmetime se disa prej sahabëve e kanë bërë diçka të tillë, dmth., që kanë qëndruar te varri i të vdekurit pas varrosjes dhe janë lutur për të siç ka qenë Ebu Umame el Bahili dhe Uathile iben el Eskea (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).

Por transmetimet e të cilëve nuk janë të sakta, siç kanë gjykuar dijetarët e hadithit, dhe e vërteta në këtë çështje është se tallkini i të vdekurit është bidat dhe i ndaluar, sepse atë nuk e ka vepruar as Pejgamberi ﷺ dhe as shokët e tij. Por lejohet që të vdekurit t’i jepet selam dhe të behet lutje për të, siç ka ardhur në hadithe të sakta.

Po kështu lejohet që kur shkon te xhamia e Profetit ﷺ në Medinen e ndritshme, t’i japesh selam Profetit ﷺ dhe dy shokëve përbri tij, Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).

Kurse për tallkinin e të sëmurit në shtratin e vdekjes, duke i kujtuar që të thotë “La ilahe ila Allah”, është sunet dhe për këtë ka urdhëruar Pejgamberi ﷺ. Ky është edhe kuptimi i fjales talkin: që t’i diktosh dikujt tjetër disa fjalë që ai t’i përsërisë pas teje, gjë e cila nuk mund të ndodhë me të vdekurin pasi të varroset, madje edhe sikur të dëgjonte fjalën tënde, nuk do i bënte dobi asgjë, sepse afati i tij për të bërë vepra të mira ka mbaruar tashmë. Ajo që i bën dobi atij pas vdekjes, është lutja për të, që Allahu ta falë e ta mëshirojë.

Fetava el lexhne ed Daime, nr. 3159