Pyetja:
A lejohet të bëj kurban për prindërit e mi që kanë ndërruar jetë?
***
Përgjigjja:
Origjina është se kurbani bëhet nga të gjallët, siç bënte Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij të cilët thernin kurban për veten dhe familjet e tyre. Ndërsa mendimi që kanë disa njerëz se kurbani është i veçuar për të vdekurit, nuk ka asnjë bazë në fe.
Kurbani i therur për të vdekurit është tri llojesh:
1. Kur e bën kurbanin për të vdekurin me nijet (qëllim) duke e bashkangjitur me ata që jetojnë. Siç bën njeriu kur ther kafshën për veten dhe familjen e tij dhe bën nijet që ky kurban të jetë edhe për ata pjestarë që kanë vdekur. Kjo lejohet dhe ka si origjinë praktikën e Pejgamberit ﷺ kur bënte kurbanet e tij për të gjithë familjarët e tij ku përfshiheshin edhe atë që kishin ndërruar jetë.
2. Të bejë kurban për të vdekurit kur ai ia lë testament dhe kjo është detyrë të zbatohet duke përjashtuar rastin kur nuk ka mundësi. Për testamentin e të vdekurit, Allahu i Lartësuar thotë: “Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i rëndë për ata që e ndryshojnë! Sigurisht që Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” (Bekare, 181)
3. Të bëjë kurban të mirfilltë për të vdekurin pa e shoqëruar me të gjallët, në formë sadakaje. Kjo lejohet dhe këtë e kanë përmendur Hambelinjtë dhe kanë pohuar se sevapi i shkon të vdekurit, dhe e kanë krahasuar me sadakanë që jepet për të vdekurin.
Por unë nuk e shikoj që veçimi i të vdekurit duke bërë kurban për të, të jetë prej sunetit, sepse Pejgamberi ﷺ nuk ka veçuar ndonjë të vdekur me kurban. Ai nuk ka bërë kurban për xhaxhain e tij Hamzain i cili ishte më i dashuri tek Pejgamberi ﷺ. Ai nuk bëri kurban për Hatixhenë dhe fëmijët e tij. Madje fëmijët i vdiqën, tre vajza dhe tre djem (e megjithatë nuk bëri kurban për ta). Shokët e tij që erdhën më pas nuk e kanë praktikuar një kurban të tillë.
E shoh të gabuar atë që veprojnë shumë njerëz, të cilët therin kurban për të vdekurin në përvjetorin e parë dhe e quajnë: “Kurbani i gropës së varrit”, dhe besojnë se në këtë kurban nuk duhet të përzihet askush në shpërblimin e tij. Ose therin kurban sadaka për të vdekurin, apo për të zbatuar testamentin e tij dhe nuk bëjnë kurban për vetët dhe familjet e tyre. Sikur ta dinin, se njeriu kur therrë kurban nga pasuria e tij, për veten dhe familjen se aty përfshihen të gjallët dhe të vdekurit, atëherë nuk do ta anashkalonin këtë, duke vepruar gjëra të tjera.
Shejh Ibn Uthejmin, “Libri Rregullat e kurbanit dhe therrjes”.
Përktheu: Arjan Gazidede