Pyetja: Kam një pyetje rreth lutjeve/dhikrit që i bëjmë.
P.sh., nëse e themi lutjen e Musait a.s. apo të Junusit a.s., ose suren El-Bekare, istigfar etj., me qëllim që të na lehtësohet një vështirësi apo të arrijmë një dëshirë, a duhet të bëhet nijeti për diçka të caktuar që e themi, apo nuk lejohet?
Përgjigjja:
VEPRAT E MIRA JANË SHKAK PËR LARGIMIN E TË KËQIJAVE
Çdo vepër të mirë që bëjmë, mund ta bëjmë duke shpresuar prej Allahut që, përmes saj, të na e lehtësojë një çështje, të na largojë një vështirësi apo të na ruajë nga ndonjë e keqe.
Allahu i Lartësuar na tregon se gjynahet janë prej shkaqeve të fatkeqësive dhe sprovave që e godasin njeriun:
“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është për shkak të asaj që kanë bërë duart tuaja, ndërsa Ai fal shumë.”
(Esh-Shura: 30)
Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet, veprat e mira i fshijnë veprat e këqija.”
(Hud: 114)
Shejh Sa’di, në komentin e këtij ajeti, sqaron se veprat e mira e afrojnë robin tek Allahu, sjellin shpërblim dhe janë shkak për fshirjen e gjynaheve, duke sqaruar se këtu bëhet fjalë për gjynahet e vogla.
Prandaj, kur bëjmë namaz, dhikër, istigfar, japim sadaka apo bëjmë çfarëdo vepre tjetër të mirë, përveçse synojmë kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut, mund të shpresojmë që Allahu, përmes asaj vepre, të na i falë gjynahet dhe të na largojë pasojat e tyre, të na lehtësojë vështirësitë dhe të na ruajë nga të këqijat.
Madje, Shejh Sa’di përmend se kur robi arrin faljen e Allahut, prej tij largohen dënimet e kësaj bote dhe të botës tjetër që janë pasoja të gjynaheve të falura.
Pra, këtë shpresë mund ta kemi gjatë çdo vepre të mirë, duke ia kushtuar veprën Allahut dhe duke shpresuar në faljen, mëshirën dhe lehtësimin e Tij.
Allahu e di më së miri.
/Hoxhë Sabahudin Selimi/




