Pyetje: A lejohet te falesh namaz nafile pasi ke falur vitrin me imamin?

Përgjigje: Kjo pyetje është një pyetje me rëndësi për njerëzit sidomos në këto ditë të Ramazanit sepse ata në përgjithësi e falin vitrin në fillim të natës së bashku me taravitë dhe pastaj kur zgjohen nga fundi i natës pëlqejnë të shtojnë namaz.

▪️Kështu themi: Është e pëlqyeshme që vitri të jetë namazi i fundit sepse Profeti -alejhi selam- thoshte: “Përfundojeni namazin e natës me vitrin” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
➖Mirëpo kjo gjë nuk i pengon ata që të falin vitrin në fillim të natës nëse ngrihen nga fundi i saj të falin namaz por ama çift siç ka ardhur nga Profeti -alejhi selam- se ka thënë në lidhje me udhëtarin: “Udhëtimi është i mundimshëm dhe i rëndë. Nëse ndonjëri prej jush e fal vitrin të falë dhe dy rekate pastaj nëse zgjohet të shtojë ose përndryshe i mjaftojnë ato” e transmeto imam Ibn Khuzejme, Darimiu dhe e saktëson sheikh Albani.
➖Imam Ibn Khuzejme thotë: Këtu ka argument se namazi pas vitrit është i lejueshëm për atë që do të falet pas tij.
Kjo gjë përveç fjalëve të tij ka ardhur edhe nga vepra e Profetit -alejhi selam- siç tregon Aishja -radiallahu anha-: “Profeti -alejhi selam- falte trembëdhjetë rekate. Ai falte tetë rekate pastaj vitrin pastaj falte dy rekate ulur dhe kur vinte rukuja ngrihej dhe bënte ruku. Pastaj falte dy rekate mes ezanit dhe ikametit të namazit të sabahut” e transmeton Muslimi.
➖Madje janë përmendur edhe suret që lexonte siç tregon Ebu Umame -radiallahu anhu-: “Profeti -alejhi selam- falte dy rekate pas vitrit ulur dhe në to lexonte: [Idha zulziletil-Erdu] dhe [Kul ja Ejjuhel-Kafirun]”
E transmeton Taberiu, Bejhakiu dhe e saktëson Shejh Albani.

▪️E njëjta gjë është transmetuar edhe nga disa prej sahabëve prej tyre: Ebu Bekri, Ebu Hurejra, Ammar bin Jasir dhe Rafi bin Khudejxh -radiallahu anhum- dhe ja transmetimet e tyre!

1- Ibn El-Musejib tregon se Ebu Bekri dhe Omeri -radiallahu anhuma- e përmendën vitrin te Profeti -alejhi selam-. Ebu Bekri tha: Unë fle pasi të kem falur vitrin dhe nëse ngrihem fal çift (numër rekatesh çift) deri në agim. Kurse Omeri -radiallahu anhu- tha: ndërsa unë fle pasi të kem falur çift (numër rekatesh çift) pastaj e fal vitrin para agimit. Atëherë Profeti -alejhi selam- tha për Ebu Bekrin: “Ai është i kujdesshëm” kurse për Omerin tha “Ai është i fortë”
E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.
➖Imam Tahauij -Allahu e mëshiroftë- pas këtij hadithi thotë:
“Fjala e Ebu Bekrit [dhe nëse ngrihem fal çift deri në agim] tregon se përderisa Profeti -alejhi selam- nuk ia ka mohuar atë gjë atëherë gjykimi është sipas veprës së tij dhe se vitrin nuk e prishin nafilet pas tij. Kjo gjë është transmetuar edhe nga disa të tjerë prej sahabëve të profetit -alejhi selam-”
Shih librin: Sherh meanij El-Athar.

2- Ebu Hurejra -radiallahu anhu- thoshte: “Unë e fal vitrin me pesë rekate dhe fle. Pastaj nëse zgjohem falem çift deri në agim”
E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

3- Ammar bin Jasir thoshte:
“Unë e fal vitrin para se të fle. Pastaj nëse më mundësohet gjë tjetër falem çift, çift deri në agim”
E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

4- Rafi bin Khudejxh -radiallahu anhu- thoshte:
“Unë fal vitrin në fillim të natës. Pastaj nëse më mundësohet diçka nga fundi i saj falem dy nga dy deri në agim”
E transmeton Abdurrazaku.

▪️Imam Sheukanij -Allahu e mëshiroftë- thotë:
“Imam El-Irakij ka thënë se te ky gjykim ka shkuar shumica e dijetarëve dhe kanë thënë se ai i cili fal vitrin pastaj do të falet përsëri kjo gjë nuk ia prish atij vitrin dhe falet çift deri në agim”
Shih librin Nejl El-Eutar.

 

Dr. Abdullah Nabolli