Pyetja:
A lejohet të mos shkojmë në xhami për namaz për shkak të zhveshjes në rrugë? Unë jam një djalosh i ri dhe jetoj në Dubai. Banoj në një ndërtesë e cila ndodhet 10 minuta larg xhamisë. Mirëpo, siç e dini, këtu në qytet ka aq shumë fitne në rrugë, saqë nuk dal jashtë banesës e të mos shohë gra pa mbulesa dhe të zbukuruara. A mund të ketë justifikim për mua që ta fali namazin në shtëpi duke e ditur se e dëgjojë ezanin nganjëherë, e nganjëherë nuk e dëgjojë atë për shkak të zhurmës që vjen nga rrugët e mbushura plot njerëz? Nëse falem në shtëpi, a më pranohet namazi dhe a më janë pranuar namazet e mëparshme?
***
Përgjigjja:
Po kërkon justifikim për t’u falur në shtëpi?! Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kushdo që e dëgjon ezanin (thirrjen për namaz) dhe nuk i përgjigjet thirrjes, ai nuk ka namaz, vetëm nëse ka ndonjë arsyetim të vlefshëm.” [1]
Dijetarët e shpjegojnë kështu: nëse muezini thërret ezanin në kohën e namazit dhe nëse ai ka zë të lartë dhe e thërret atë nga maja e ndërtesës, duke mos pasur ndërtesa tjera përreth që do ta pengonin dëgjimin e ezanit, atëherë kushdo që e dëgjon ezanin në atë kohë dhe të gjithë ata që e dëgjojnë atë, duhet të shkojnë e t’i bashkëngjiten xhematit për namaz. Kushdo që nuk e dëgjon ezanin për shkak të largësisë mes tij dhe muezinit e jo për shkak të zhurmës përreth, atëherë ky njeri nuk e ka obligim të falet me xhemat (pra, ka arsyetim të vlefshëm). Pa dyshim se ndërtesat e larta e pengojnë depërtimin e zërit, mirëpo kjo nuk mund të merret si shembull, sepse, nëse një njeri e ka shtëpinë afër xhamisë dhe pranë shtëpisë kryhen punime me ekskavator të zhurmshëm, atëherë ky me siguri se nuk do ta dëgjojë ezanin, por prapëseprapë këtij njeriu nuk i lejohet të mos i bashkëngjitet xhematit për namaz. Mësimi që nxjerrim nga fjalët “kushdo që e dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet” ka të bëjë me dëgjimin e tij në rastin e parë. Ti, o vëlla, Allahu të bekoftë, the se “xhamia është larg nga ti vetëm dhjetë minuta”, prandaj, nëse muezini e thërret ezanin sipas kritereve të përmendura më lart, atëherë ti ke mundësi ta dëgjosh atë; në këtë rast, falja me xhemat është vaxhib për ty.
Sa i përket zhveshjes dhe fitneve të tjera që i sheh në rrugë, a nuk del fare nga shtëpia për të blerë gjëra të nevojshme ushqimore apo për të shkuar në punë? Dhe kur të dalësh për këto nevoja, a nuk iu ekspozohesh fitneve? Përse atëherë e merrni si shkas fitnen vetëm kur është në pyetje shkuarja për namaz në xhami? Nëse ke mundësi ta praktikosh fenë tënde dhe ke frikë nga fitnet, atëherë largohu nga aty, madje edhe nëse kërkohet të zhvendosesh nga një vend në vendin tjetër, prej një ndërtese në tjetrën. Gjëja me çmueshme që ka njeriu është feja e tij dhe, nëse këtë e ka të sigurt, atëherë ai ka grumbulluar kapital të madh. Nuk i lejohet robit të Allahut ta fusë veten në fitneh. Prej mëshirës së Allahut me robërit e Tij, për shkak të dobësisë së tyre, është se ata i ka bërë të jenë përherë të varur prej Tij, prandaj namazi shërben si përforcues për robërit në mënyrë që ata të mos bien në fitne. Kur shkon në xhami, mund të dëgjosh ndonjë fjalë të mirë apo ta njohësh dikë me virtyte të larta. Pikërisht mosshkuarja në xhami vetvetiu është fitne! Mosshkuarja në xhami është fitne! Robi i Allahut i bashkon dy namazet vetëm kur udhëton, e nëse nuk është në udhëtim, nuk i lejohet t’i bashkojë ato; ai duhet të shkojë në xhami për ta falur namazin me xhemat dhe kështu ia bllokon shtegun shejtanit për ta privuar robin nga më e mira. Robi përherë ka nevojë për Allahun, kështu që për t’u mos e privuar zemrën nga mirësia e Tij dhe ta shkëpusë mëshirën e Allahut ndaj tij, atij i janë bërë obligim namazet e rregullta. Falja e namazeve të rregullta dhe vazhdimësia në faljen e rregullt të tyre bëhet e tëra për ta larguar robin nga fitnet. Së këndejmi, ajo çfarë t’i po pretendon vetëm se do të largojë edhe më shumë nga namazet e rregullta. Kështu, shejtani do të mbetej vetëm me ty e ti do të bëheshe gjahu i tij. Falja e namazit me xhemat e përforcon imanin e robit të Allahut. Prandaj, o vëlla, Allahu të bekoftë, nuk të lejohet braktisja e namazit me xhemat përderisa xhaminë e ke afër. Allahu e di më së miri.
Shejh Meshur Hasen al Selman
Përktheu: Visar Zeka
—————————–
[1] Transmetojnë: Ebu Davudi, Ibn Maxheh, Hakimi, Begaviu dhe Bejhekiu. Sahih – Dhehebiu, Neveviu, Ibn Haxheri, Ibn Tejmjmije, Ibn ul-Kajimi dhe Albani.