“Në parim, ne si myslimanë nuk punojmë në faltoret e popujve të tjerë apo të feve të tjera, si dhe nëpër lokale ku kryhen gjëra qartësisht të ndaluara (harame), si diskotekat, kazinotë, bastoret dhe lokale të tjera ku ndaj Zotit bëhet mohim (kufër), idhujtari (shirk) apo mëkat.

Kjo sepse, po të punonim aty, do të përfshiheshim në atë ajetin kuranor që thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri, dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe dhe armiqësi.” (El-Maide: 2)

Pra, në çdo objekt, në çdo veprim apo punë ku ndaj Zotit (Tebareke we Te’ala – i Madhëruar dhe i Lartësuar) bëhet gjynah, ne si myslimanë nuk marrim pjesë. Tjetër gjë është respekti; kjo nuk bie ndesh asnjëherë me respektin dhe me tolerancën. Jo, aspak, nuk është e vërtetë ajo që thuhet. Këto janë parime dhe themele të myslimanëve.

Myslimanët janë, siç thotë një dijetar evropian shumë i njohur: „Myslimanët janë të vetmit njerëz në botë që kanë arritur të bashkojnë(dhe kjo është shumë e rëndësishme) fundamentalizmin me tolerancën.“ Bashkojnë fundamentalizmin (në kuptimin që ne e ruajmë fenë tonë me qartësi) me tolerancën. Ne nuk i armiqësojmë dhe nuk i luftojmë të tjerët.

Jo, asnjëherë! Për shembull, në shtetin islam nuk lejohet prishja e kishave. Jo, aspak! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë nga asnjë mysliman. Pse ta bësh këtë kur je i fortë? Pse të rrënosh kisha, sinagoga apo faltore të feve të tjera vetëm sepse je në pozitë të fortë? Jo, aspak, myslimani nuk vepron kështu.

A e kuptoni? Kur janë të fortë, ashtu edhe kur janë të dobët, myslimanët janë të vetmit njerëz në botë që kanë arritur të bashkojnë fundamentalizmin (ruajtjen e parimeve të shëndosha të fesë pa i tjetërsuar ato) me tolerancën ndaj të tjerëve.”